Isa Mustafa uron: 2014 nuk e kishim të lehtë, do luftojmë cdo dukuri negative

Kosovë&Rajon

isa mustafaKryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa uroi qytetarët për festën e Vitit të Ri 2015. Ky është viti i parë që Mustafa uron në detyrën e kreut tëqeverisë së Kosovës. Më poshtë mesazhi i plotë i urimit. 

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sot po e mbyllim vitin 2014, një vit të ndërtimit demokratik të vendit, të zgjedhjeve, të sukseseve por edhe të shumë sfidave.

Edhe në këtë vit, si gjithherë kur nuk e kishim lehtë,  na mbajti besimi se kemi vullnet, forcë dhe dije që të gjithë së bashku të bëjmë më shumë për ta përparuar vendin tonë, në një Kosovë të pasur dhe demokratike, në familjen evropiane dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  që ofron mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Le të shërbejë ky ndërrim i  moteve si moment reflektimi, besimi dhe i dashurisë ndaj njëri tjetrit, por mbi të gjitha, ndaj atdheut tonë për të cilin u munduan shumë gjenerata, u flijuan ushtarë të UÇK-së, Adem Jashari e Presidenti  ynë Ibrahim Rugova. Sakrifica e tyre është një motiv më i madh i punës dhe i krenarisë  për Kosovën  dhe qytetarët tanë.

Me të drejtë, kemi qenë ndër popujt më optimist, por tani është koha që  veprën tonë ta bëjmë optimizmin tonë.  Ta ndërtojmë një jetë më të mirë e më të begatë.  Sepse  jeta e të gjithë neve është më e mirë në vendin tonë, në Kosovën tonë. Kjo është shtëpia jonë, toka dhe fryma jonë. Ajo meriton më shumë. Dhe ne të  gjithë mund të japim më shumë.

Pikërisht, përkushtimi ynë dhe i çdo zyrtari të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vihet në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe me gjithë qenien tonë do të punojmë për ta bërë jetën e qytetarëve më të lehtë.

Do ta kultivojmë edhe humanizmin dhe solidaritetin ndaj njëri tjetrit, ndaj atyre që jetojnë në kushte të vështira.  Kemi kultivuar gjatë këto veti, në kushtet e shtypjes e rrezikut për zhbërje, do ti kultivojmë edhe sot si shtytës  të punës dhe prosperitetit tonë.

Qytetar të Republikës së Kosovës,

Jemi të përkushtuar që të luftojmë dukuritë negative si krimi i organizuar e korrupsioni, por është esenciale që ju të jeni partneri ynë kryesor në këtë luftë. Jemi të përkushtuar që të zhvillojmë sektorin privat të ekonomisë, të hapim vende pune dhe ta ulim varfërinë.

Pavarësisht se jemi ende të izoluar në këtë pjesë të Ballkanit,   ne nuk e konsiderojmë  më pak evropian asnjë qytetarët të Kosovës, sesa qytetarët e tjerë të këtij kontinenti. Ne kemi frymën, kulturën dhe orientimin evropian.

Qeveria jonë është qeveri e ndryshimeve pozitive, stabile dhe me përgjegjësi e besim të fortë të partneritetit. Ne do të punojmë t’i përmbushim të gjitha premtimet që ua kemi dhënë.

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës sot t’u uroj vitin e Ri 2015, të uroj fëmijët tanë, nxënësit, studentët, arsimtarët, mjekët, policët, zjarrfikësit  e pjesëtarët e FSK-së,  punëtorët dhe të papunët, pensionistët, njerëzit me aftësi të kufizuara, familjet tona. Gjithë njerëzit e këtij vendi, bashkatdhetarët tanë.

Gjithashtu, shfrytëzoj rastin që të uroj edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, misionet diplomatike në Kosovë të cilët këtë vit janë larg familjeve të tyre që t’i shërbejnë vendit të tyre dhe qytetarëve të Kosovës.

Urime Vitin e Ri 2015!  Dhashtë zoti që ky vit të jetë vit i prosperitetit dhe arritjeve të mëdha për vendin tonë.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë tanë!

Isa Mustafa,

Kryeministër i Republikës së Kosovës

ME TE LEXUARAT