PD: Shqipëria është bërë Kolumbia e Evropës

Politikë

selia-pd2015Partia Demokratike deklaron se ndërtimi i fabrikës së kokainës e në zemër të vendit e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi të Europës. “Prej një viti trafikantët gjetën të gjithë lehtësitë që u duheshin, autoritetet mbyllën sytë dhe veshët. Po të ishte për Edi Ramën, impianti do të vazhdonte të prodhonte drogë. Falë policive partnere u ndalua prodhimi dhe trafikimi i kokainës. Sot është mëse e qartë se instalimi i laboratorit të kokainës, që Edi Rama e cilëson me mburrje si më të madhin e më modernin në Ballkan, është shenjë tronditëse e kthimit të Shqipërisë në një Kolumbi të drogës”, thekson PD.

Në vlerësimin e selisë blu, jo vetëm për faktin se dy shtetas kolumbianë ishin të përfshirë në organizatë, por sidomos për faktin se një impiant i tillë i prodhimit të kokainës, arrin të ndërtohet e të funksionojë në zemër të Shqipërisë, me lehtësinë më të madhe.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Duhet të jemi të qartë, se po të ishte për qeverinë tonë, për Edi Ramën dhe Saimir Tahirin, që dolën dje e rrahën gjoksin ku munden, kokaina do të vazhdonte të prodhohej e tregtohej në Europë.

Po të ishte për ta, fabrika e drogës nuk do të ndalej asnjë cast, madje me siguri ajo do të rritej e do ta shtonte aktivitetin. Falë policive partnere, u arrit konstatimi dhe ndalimi i autorëve e sekuestrimi i laboratorit. Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk gjetën asnjë moment dje të tregonin të vërtetën, dhe as të falenderonin partnerët europianë, që jo vetëm sollën informacionin por dhe ndihmuan në suksesin e operacionit, kryesisht me faktin se mbajtën kontakte me një pjesë të strukturave tek të cilat ata kanë besim”, insiston PD.

Më tej, opozita ngre katër pyetje për mazhorancën: Si ka mundësi që ushtronte prej një viti aktivitetin një fabrikë e tillë, dhe autoritetet kishin mbyllur sytë e veshët? A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste? A janë krerët e kësaj bande të lidhur me zyrtarët e lartë të partisë në pushtet dhe sponsorizues edhe në qëndrimet jashtë të funksionarëve të lartë, si përshembull në Bruksel? A janë drejtuesit kryesorë të këtij grupimi kushërinj të afërt të ish-deputetit socialist, sot zëvendësministër i Ramës?

 

ME TE LEXUARAT