Rama: Ilir Meta, Presidenti i duhur; nesër zgjidhet, zgjedhjet do mbahen pa PD

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama, duke folur në Top Story me Sokol Ballën e quajti zgjedhjen e duhur Ilir Metën si President të Republikës.

“Është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi patur deri më tani. Është një President i lidhur me të gjithë. Ka akses tek të gjithë, flet me të gjithë dhe u thotë të gjithëve se çfarë mendon. Kjo është një zgjidhje ideale edhe për vetë PD”, tha ai.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Edhe sot Ilir Meta është kandidat për President që vjen natyrshëm sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën President. Po të mos ishte kjo situatë, Meta do të ishte në krye të betejës për të marrë edhe më shumë deputetë dhe për të qenë në vazhdimësi pjesë e jetës politike aktive”, shtoi Kryeministri Rama.

“Nesër Ilir Meta zgjidhet President i Republikës me mbështetjen e plotë të LSI dhe PS”, vijoi Kryeministri.

Duke folur në Top Story, Kryeministri Rama e përjashtoi mundësinë që të ulet në tryezë me Partinë Demokratike për të gjetur një zgjidhje politike që ajo të marrë pjesë në zgjedhje.

“Absolutisht që e përjashtoj sepse ne nuk jemi bebisiter dhe nuk ka në politikë një bebisiting për ata që humbin rrugën. Demokracia është rrugë me shumë korsi në krahasim me rrugën me një korsi të komunizmit. Nëse një makineri si PD, që del nga korsia, del në lëndina dhe më pas përfundon në humnerë për shkak të shoferit të saj, ky nuk është faji ynë”, u shpre Rama.

Rama premtoi se do të ketë zgjedhje më 18 qershor. “Asnjë nga projeksionet e apokalipsit të Lulzim Bashës që flet me veten nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.

Protesta e opozitës, thotë Kryeministri, nuk ka lidhje me kërkesat që bëhen prej saj.

“Kjo është përpjekje e një grupi drejtues të PD që kanë frikë nga drejtësia, kanë aq shumë frikë nga drejtësia sa janë të gatshëm që ta shkatërrojnë projektin europian të Shqipërisë, t’i dalin kundër Europës dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë ai.

ME TE LEXUARAT