“Qeveria gënjen”, TAP: 410 vende pune zbritën papunësinë në nivelin historik

Aktualitet

Të dhënat e INSTAT mbi papunësinë janë një paradoks i pashpjegueshëm në situatë normale, çka hedh dyshime të forta për manipulimin e shifrave zyrtare.

Një ditë më parë INSTAT raportoi se papunësia në Shqipëri shënoi në tremujorin e parë të këtij viti nivelin më të ulët historik, përkatësisht 12.5 për qind ose 0.9 pikë përqindje më pak se fundi i vitit 2017. Kjo edhe pse për të njëjtën periudhë, sipas listëpagesave të dorëzuara tek Tatimet, biznesi privat në sektorin jobujqësor krijoi vetëm 410 vende të reja pune.

Më konkretisht në fund të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor, ishte 501 mijë e 341 vetë. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, ky numër arriti 501 mijë e 759 vetë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pra në tre muaj kompanitë private në të gjithë Shqipërinë kanë hapur vetëm 410 vende të reja pune. Kjo është shifra më e ulët e rritjes së punësimit në histori. Mesatarisht gjatë viteve të shkuara ekonomia shqiptare ka krijuar 15 deri në 20 mijë vende të reja pune në një tremujor.

Shkalla zyrtare e papunësisë, ajo për të cilin INSTAT thotë se ka rënë në nivelin më të ulët historik del përmes Anketës së Forcave të Punës. Praktikisht kjo anketë është një sondazh, ku INSTAT, pyet rreth 7 mijë persona në të gjithë Shqipërinë, dhe përfundimet pastaj i zgjeron në rang kombëtar.

Pra vetë fakti që është sondazh, e bën shifrën e papunësisë përveçse të pasaktë edhe lehtësisht të manipulueshme.

Por ndryshe nga papunësia, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor nuk mund të manipulohet kaq lehtë. Ky numër është treguesi më i sigurtë i shifrave të punësimit, pasi del direkt nga listëpagesat që biznesi dorëzon tek Tatimet.

Rënia e papunësisë që INSTAT deklaron në Anketën e Forcave të Punës nuk përkon me rritjen e të punësuarve që janë deklaruar tek Tatimet.

Kjo hedh dyshime të forta mbi saktësinë e anketës, sipas të cilës papunësia në Shqipëri ka rënë në nivelin më të ulët historik.

Në këto kushte deklaratat pompoze të qeverisë për rënien e papunësisë në nivelin me të ulët historik janë një farse, gati komike. Vetëm 410 të punësuar në tremujorin e parë të vitit, ulën papunësinë në nivelin më të ulët historik.

ME TE LEXUARAT