Xhafaj në Bruksel me homologun belg: Premtoj rezultate

Politikë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në vijim të vizitës në Bruksel u prit në një takim nga homologu belg, z.Jan Jambon. Gjatë takimit Ministri Xhafaj bëri një përmbledhje të arritjeve të deritanishme në fushat e veprimit të Ministrisë së Brendshme.

Xhafaj prezantoi rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” si dhe u ndal edhe te rezultatet në luftën kundër fenomenit të kanabisit, qëllimi i së cilës është heqja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në vijim biseda midis dy Ministrave u fokusua te lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm si dhe çështjet që kanë të bëjnë me azil kërkimin dhe migracionin e parregullt, të cilat janë kthyer në çështje të diskutuara në Belgjikë.

Duke qëndruar tek çështja e azil kërkimit, Xhafaj nënvizoi se “Ministria e Brendshme dhe strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë një sërë masash për uljen e numrit të azil kërkimit dhe adresimin e çështjeve të migracionit të parregullt. Shqipëria, edhe në sajë të kapaciteteve të kufizuara që disponon, ka arritur të shpreh suksese të qenësishme në këtë drejtim, por nevojitet një mbështetje më e gjerë nga partnerët e Bashkimit Evropian”.

Ministri belg u shpreh se sfidat që po has Shqipëria, janë po të njëjtat me ato të vendeve anëtare të BE-së, duke marrë si shembull terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, ku jo më larg se disa javë më parë, Belgjika u godit nga ky fenomen.

Të dy ministrat theksuan se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë është shumë i mirë, por ka ende vend për një intensifikim të tij në fushat me interes të përbashkët.

ME TE LEXUARAT