Zëri i Amerikës: Opozita në Shqipëri do bojkotojë zgjedhjet lokale

Politikë

Në Shqipëri opozita duket se ka vendosur përfundimisht të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore të 30 qershorit.

Kryesia e Partisë Demokratike miratoi sot një propozim të kryetarit Lulzim Basha, sipas të cilit, “PD të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Sipas Partisë Demokratike, “kriza e rëndë politike në vend nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave”.

Përveç mospjesëmarrjes, PD-ja, sipas propozimit të zotit Basha, do të angazhohet edhe për të bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë, përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale”, - thuhet në vendim, ku saktësohet se PD angazhohet gjithashtu dhe që “të pamundësojë, përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Vendimi i kryesisë u miratua në mbrëmje dhe nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Zoti Basha pas mbledhjes nuk dha detaje të tjera se si do të konkretizohet ky aksion i opozitës.

Ndërsa thirrjeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë për një dialog mes palëve, ai iu përgjigj dhe sot se "parakushti për një dialog të vërtetë është largimi i Edi Ramës".

Në të njëjtën linjë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, zëvendës-kryetari Luan Rama u shpreh se “Shqipëria është një shtet i kapur nga strukturat kriminale, që kanë imponuar vullnetin e tyre në zgjedhjet, që kanë prodhuar maxhorancën, që është në shërbim të krimit dhe mbi bazën e këtij realiteti, aksioni politik i LSI-së, i inkuadruar në tërësinë e veprimit politik dhe qytetar të opozitës, do të vazhdojë me vendosmëri për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje farsë, për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje, që komandohen dhe blihen nga grupet kriminale, për të zgjedhur pushtetin dhe qeverinë që u shërben atyre”.

Vendimet individuale të dy partive kryesore të opozitës pritet të jenë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë, në të cilën do të bëhen pjesë dhe partitë e tjera opozitare./zeri i amerikes

ME TE LEXUARAT