Licencë për të lypur, ose gjobitesh/ Ja shuma që të pastrehët duhet të paguajnë në këto raste

Aktualitet

Në qytetin jugor Eskilstuna në Suedi njerëzit që kërkojnë lëmoshë në rrugë tani duhet të marrin licencë duke paguar 21 euro, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës Guardian, qyteti Eskilituna ka vënë në praktikë një rregullore sipas së cilës, personat që duan të kërkojnë lëmoshë në rrugë duhet të marrin një leje tremujore, dhe në rast të mungesës së dokumenteve të nevojshme, ata do të gjobiten me 342 euro.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Siç thuhet, dokumentet e nevojshme për personat që duan të kërkojnë lëmoshë mund të plotësohen në internet ose duke shkuar në qendrat e policisë. Rregullorja e re në këtë qytet ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji.

Anëtari i këshillit bashkiak, Jimmy Jansson, tha për median lokale se praktika e re ka për qëllim ta vështirësojë lypjen.

Organizatat joqeveritare kanë kritikuar këtë praktikë, duke argumentuar se ajo legjitimon kërkimin e lëmoshës dhe do t’i bënte edhe më të pambrojtur njerëzit në nevojë që kërkojnë, shumica e të cilëve janë nga vende si Rumania dhe Bullgaria.

Punonjësi i organizatës humanitare Stadsmission, Tomas Lindroos, ka shprehur shqetësimin se sistemi i ri do të rrisë mundësitë për eksploatim dhe se bandat që veprojnë në rajon mund të abuzojnë me lypësit.

Lypja e paautorizuar tashmë është ndaluar në disa qytete suedeze, që kur fillimisht Gjykata Supreme miratoi ndalimin në qytezën Vellinge në dhjetor. Sipas kanalit shtetëror suedez SVT, në Eskilstuna deri më tani janë dhënë tetë licenca.

ME TE LEXUARAT