Zeri i Amerikes per Arjan Ndojin: Prokurori ne makine me personin me shume emra

Aktualitet

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të mërkurën në Tiranë se ka nisur një ditë më parë verifikimin e fakteve të bëra publike për prokurorin Arjan Ndoji, i cili u plagos me armë zjarri të premten gjatë një atentati në autostradën Tiranë - Durrës.

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku po verifikon faktet e bëra publike dhe po mbledh të dhënat për shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, sipas ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, - bëhet e ditur nga njoftimi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Drejtuesja e prokurorisë mori një letër nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili i kërkoi të nisë hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, për të zbuluar nëse ishin konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore.

KLP e vlerësoi atentatin ndaj prokurorit dhe automjetit të tij në afërsi të Shkozetit një ngjarje të rëndë në radhët e magjistratëve dhe të sistemit të drejtësisë në vend.

Këshilli theksoi se në këto rrethana duhet vërtetuar nëse prokurori Ndoji drejton apo jo një studio ligjore, ku ai ofron konsulencë ligjore për cështje të ndryshme.

“Nëse kjo do të rezultonte e vërtetë, - theksoi KLP-ja - kjo do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Nga burime të besueshme mësohet se prokurorit Ndoji iu gjetën në makinën e atentatit një mori dokumentash, që besohet se ishin të vjedhura nga prokuroria e Durrësit, dhe që lidhen me ngjarje të rënda kriminale në Durrës dhe Vlorë. Më herët Ndoji ka punuar si avokat, kur ka mbrojtur disa emra të spikatur të botës së krimit.

Policia shqiptare njoftoi arrestimin e 34-vjeçarit nga Nikla e Fushë - Krujës, Redjan Rraja, i dyshuar si një nga autorët e atentatit me armë zjarri të premten ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, shoferit të tij Andi Maloku dhe bashkudhëtarit tjetër Pëllumb Muharremi, i njohur për rekordet kriminale dhe për ndryshimin e shpeshtë të identitetit.

Gjurmë të Rrajes dhe personave të tjerë u gjetën në një automjet të braktisur në një fshat të Durrësit, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes gjatë sulmit.

Redjan Rraja dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, sulmoi të premten pas mesdite me breshëri armësh automatike nga një automjet në ecje përgjatë autostradës Durrës - Tiranë prokurorin 42-vjeçar Arjan Ndoji, i cili udhëtonte me shoferin e tij Andi Maloku dhe 46-vjeçarin Pëllumb Muharremi, me emrin e ri Aleksandër Laho.

Ndoji mbeti i plagosur, por është jashtë rrezikut për jetën, si edhe Laho. Shoferi Andi Maloku është në gjendje më të rëndë nga plumbat në pjesë kritike të trupit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet bazuar në tre akuza nga vrasja në bashkëpunim e funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë, tek vrasja ndaj dy a më shumë personave, e natyrisht edhe për armëmbajtje pa leje.

Në automjetin e braktisur u gjetën dy armë automatike, dy maska, një shishe me lënde djegëse dhe sende të tjera të autorëve.

Prokuroria kontrolloi banesat e 15 personave në Tiranë, Krujë dhe Lushnje, ku sërish janë gjetur prova materiale mbi autorët e mundshëm të ngjarjes.

Policia po kërkon me një seri masash shtesë edhe autorët e tjerë të ngjarjes në autostradën kryesore të vendit./zeri i amerikes

ME TE LEXUARAT