"Te fus plumbin ballit", i riu qe kercenoi Ramen: Filloi si shaka, me nxiten shoket

Aktualitet

“Do të të fus plumbin ballit!”. Një mesazh i tillë në adresë të Kryeministrit Edi Rama, ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit afro 5 ditë më parë. Autori i këtij kërcënimi, në dukje serioz, është identifikuar shpejt, por në mungesë të një adrese të saktë të tij, janë dashur disa orë për të zbuluar vendndodhjen. Një fotografi e të dyshuarit u është vënë në dispozicion dhjetëra agjentëve civilë, derisa dje, në orët e para të mëngjesit, është rënë në gjurmët e të riut, që është shoqëruar nga Antiterrori.

Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim për ngjarjen, madje edhe burime jozyrtare u treguan hermetikë. Dje, në media qarkulloi edhe fotografia e personit të dyshuar, i cili, sipas burimeve konfidenciale, quhet Andrea Kurti, me origjinë nga Puka dhe banues në një shtëpi me qira në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Fillimisht, kërcënimi i tij u lidh me aksionin e prishjes së banesave në atë zonë, për të cilat po protestohet prej disa muajsh. Megjithatë, ndonëse situata u duk shumë serioze, 32-vjeçari u la i lirë nga Policia, pas verifikimeve që u kryen në Polici.

Burimet thanë se nga këqyrja e telefonit të tij, u kthyen disa mesazhe të fshira, një prej të cilave ishte edhe ai i dërguar në numrin e telefonit të Ramës, që në dukje ishte një kërcënim serioz për jetën. Të njëjtat burime, ndonëse nuk saktësojnë situatën plotësisht, thanë se janë gjetur edhe mesazhe të tjera.

Vetë i riu ka deklaruar se e gjitha ishte një shaka mes shokësh, që, sipas tij, e nxitën për t’i shkruar Kryeministrit. Nëse dëshmia e tij është e vërtetë apo jo, kjo nuk dihet ende, edhe pse ai tashmë është lënë i lirë. Kurti, pas dëshmisë dhe verifikimeve, ka dalë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, edhe pse kjo mund të jetë ndonjë taktikë e Policisë.

MASAT E SIGURISE

Nëse kërcënimi i Kryeministrit Edi Rama është vërtet një lojë mes të rinjsh, kjo mbetet për t’u konfirmuar. Por ajo që dihet me saktësi deri tani, është se Ramës i janë shtuar masat e sigurisë prej disa ditësh. Madje, shërbimet e Gardës së Republikës janë parë edhe pranë zonës ku banon djali i kryeministrit Rama, edhe mbrëmë gjatë orëve të mbrëmjes. Veç Gardës, mësohet se janë angazhuar edhe agjentë civilë të strukturave të posaçme të Policisë së Shtetit.

Të gjitha këto të dhëna, në kushtet e një situate kur nuk ka asnjë zë zyrtar apo jo nga ana e Policisë, të bëjnë të kuptosh se ngjarja nuk është vlerësuar thjesht si një “shaka” e të dyshuarit me shokët. Situata në dukje mund të jetë edhe me delikate e serioze nga çfarë thuhet nën zë nga burime shumë të rezervuara të Policisë, ndryshe nga rastet e mëparshme, që mund të themi që nuk kanë qenë të rralla, kur kreu i Qeverisë është kërcënuar. Ashtu siç ndodhi më 21 janar të vitit 2011, kur Rama ishte lider i opozitës apo më 30 nëntor të vitit 2014, kur ishte në vitin e parë si Kryeministër.

Autorët e kërcënimeve në këto dy raste u arrestuan nga Policia, e cila dha edhe deklaratë zyrtare, ndonëse shkurtimisht për atë çfarë kishte ndodhur. Por kësaj here duket se gjërat kanë ndryshuar dhe kjo për dy mundësi.

E para mund të jetë thjesht një rutinë e Policisë, që së fundmi “preferon” të publikojë sa më pak informacione për median dhe publikun, e dyta ngjarja mund të jetë vërtet serioze dhe po mbahet e fshehtë për të ruajtur sekretin hetimor.

Si u kërcënua Rama nga avokati në 2014

Në orët e para të mëngjesit të ditës kur shënohej 70 vjet nga çlirimi i vendit, Kryeministri Edi Rama është zgjuar nga një mesazh ironizues, i mbërritur në telefonin e tij. Ka qenë ora rreth 4 e mëngjesit të datës 29 nëntor 2014, kur Rama ka marrë mesazhin e parë në telefonin e tij, që u pasua në minutat në vazhdim edhe nga 7 sms të tjera. Autori i këtyre teksteve rezultoi të ishte avokati Bashkim Hoxha, në atë kohë 58 vjeç, i cili u arrestua nga Policia e Tiranës.

Tekstet e shkruara prej tij nisën me sms-në e parë: “Ka filluar të të duket vetja si Ismail Qemali…”, dhe më pas u shndërruan në sms fyese e kërcënuese për Kryeministrin e bashkëshorten e tij, Linda Rama. Nën efektin e alkoolit, avokati Hoxha, i njohur edhe nga kolegët si një pijedashës, duket se është bezdisur nga injorimi që i ka bërë Rama, duke mos i kthyer përgjigje mesazhit të tij të parë.

Për këtë arsye, në sms-të në vazhdim, fjalori i përdorur ka qenë disi i rëndë, madje deri në kërcënime, duke bërë që Kryeministri të mos i kalojë pa u kushtuar rëndësinë e duhur. Për këtë arsye, mësohet se Rama i ka kërkuar ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahirit, që të vepronte menjëherë dhe të vinte para përgjegjësisë ligjore autorin e këtyre teksteve. Për Policinë duket se nuk ka qenë aspak i vështirë identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit, pasi ai i ishte prezantuar vetë kreut të qeverisë që në mesazhin e parë./panorama

ME TE LEXUARAT