Zhdukja e Bleona Mates, flet e ema: Dyshoj tek ish-bashkëshorti

Aktualitet

Bukurie Mata, nëna e Bleona Matës nga Kukësi, e zhdukur në maj të vitit 2010 thotë se i ka humbur të gjitha shpresat nga strukturat e shtetit shqiptar për gjetjen e vajzës së saj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Bukurie Mata shprehet se shteti nuk ka bërë sa duhet për të gjetur vajzën e saj, ndërsa i bën apel të marrë edhe njëherë në pyetje të akuzuarat për zhdukjen e saj.

“Ka 10 vite që është zhdukur vajza ime dhe nga shteti nuk kemi asnjë informacion, asnjë dritë jeshile për gjetjen e Bleonës, për bijën time të vetme. Unë i kisha kërkuar drejtësisë, që 10 vite radhazi 5 kriminelët rrinë të lirë, 5 dëshmitarët rrinë të lirë, 5 vajzat që e zhdukën Bleonën janë të lira.

Unë e kam humbur besimin te shteti, unë pres çdo ditë më të mirën për Bleonën. Unë do ta kërkoj në rrugë private, në të gjitha institucionet e tjera, por i lutem edhe njëherë shtetit të marrë masa për gjetjen e Bleonës, të marrë edhe njëherë në pyetje 5 kriminelët që rrinë të lirë. Unë dua të vërtetën për gjetjen e Bleonës. Dua një siguri, një pikë jeshile, një drejtim në gjetjen e saj, ndaj uniformës blu. E kam humbur besimin te drejtësia shqiptare, sepse 10 vite nuk kam asnjë pikë në gjetjen e Bleonës ndaj uniformës blu”, thotë Bukurie Mata.

Nga ana tjetër, Bukurie Mata thotë se ish-bashkëshorti i saj nuk po e ndihmon në gjetjen e Bleonës që është edhe vajza e tij.

“Jo, nuk kemi asnjë lidhje, jemi ndarë me gjykatë. Ai si prind asnjëherë nuk e kërkon fëmijën, unë nuk e di çfarë prindi është ai. Çfarë babai është, çfarë i pamëshirë është, edhe këtu mund të hedhim dyshime se mund të dijë diçka dhe ai, bashkë me motrën e vet. Po na bën të dyshojmë, se 10 vite nuk bën asnjë thirrje për gjetjen e Bleonës. Vjehrri jonë e bën ndonjë thirrje shumë të rrallë”, thekson ajo.

ME TE LEXUARAT