Kosova - Rajoni

Kuçi:Thaçi do të jetë president

kuciAi ka vlerësuar lart veprimin e liderit të PDK-së, që si fitues i zgjedhjeve të bëhet zëvendëskryeministër. “Z. Thaçi ka treguar se për interesa të vendit nuk është domosdo vetëm kryeministër i këtij. 

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuçi, ka deklaruar se qeveria e re e ka fytyrën e PDK-së, ndonëse kjo parti nuk e udhëheq atë. Ai ka thënë se partia që i ka fituar zgjedhjet e 8 qershorit ka hyrë përnjëmend në qeveri. Në ketë intervistë për “Epokën e re”, Kuçi ka vlerësuar se këtë e dëshmon vetë pozicionimi i Hashim Thaçit në postin e zëvendëskryeministrit.

Ai e ka vlerësuar lart veprimin e liderit të PDK-së, që si fitues i zgjedhjeve të bëhet zëvendëskryeministër. “Z. Thaçi ka treguar se për interesa të vendit nuk është domosdo vetëm kryeministër i këtij vendi. Ai i ka shërbyer vendit edhe si lider studentor, në luftë si ushtar i UÇK-së, deri tek udhëheqja e delegacionit të Rambujesë. Po ashtu, i ka shërbyer vendit si opozitë. Sot po i shërben vendit si zëvendëskryeministër, kurse nesër edhe si president”, është shprehur Kuçi, duke shtuar se për mentalitetin ballkanik kjo nuk është shumë e lehtë.
Më tutje, ai ka treguar se marrëveshja e bllokut ka sjellë disa pasoja që e kanë shtyrë PDK-në të heqë dorë nga posti i kryeministrit. Megjithatë, Kuçi ka thënë se PDK-ja nuk është e lundruar në këtë marrëveshje, por i ka ndarë përgjegjësitë në bazë të vullnetit të elektoratit. Kuçi ka thënë se Kosova nuk i ka dy kryeministra, por një, duke shtuar se PDK-ja do ta respektojë maksimalisht kryeministrin Mustafa. “Ne do t’ia bëjmë respektin maksimal.

Ne i kemi bërë respektin edhe presidentes që nuk ka pasur legjitimitet fare. Ndërsa z. Mustafa është njeriu i dytë më i votuar në Kosovë. Pastaj me votat tona, të LDK-së dhe partnerëve të tjerë, është zgjedhur kryeministër dhe ne e respektojmë atë”, ka vlerësuar Kuçi, duke shtuar se për PDK-në ky koalicion do të shkojë deri në fund të mandatit.

“Epoka e re”: Z. Kuçi, PDK-ja për shtatë vjet e ka udhëhequr qeverinë, por këtë mandat, ndonëse i fitoi zgjedhjet, nuk po udhëheq. A jeni mësuar me këtë pozicion?
Kuçi: PDK-ja vazhdon të jetë partia politike e parë në vend dhe zgjedhjet e 8 qershorit e kanë konfirmuar këtë. Natyrisht se ne kemi ndarë përgjegjësitë në koalicionin qeverisës, por kjo nuk do të thotë se jemi partia e dytë. Ne kemi ndarë përgjegjësitë duke marrë postin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të presidentit në vitin 2016, që janë dy poste kryesore të vendit. Kuptohet, duke e dhënë kryeministrin, por duke e ndarë qeverinë në mënyrë proporcionale. Ne kemi ndarë përgjegjësitë institucionale, por përgjegjësitë më të mëdha prapë vazhdojnë t’i mbesin PDK-së. Rolet e ndara do t’i respektojmë.

“Epoka e re”: Lideri i PDK-së është njeriu më i votuar në Kosovë dhe këto vota i ka marrë për të qenë kryeministër i Kosovës. Pse hoqët dorë nga ky post. Nuk kishte tjetër zgjidhje?
Kuçi: Në zgjedhje kemi pasur pesë kandidatë për kryeministër, por është ditur se do të bëhet vetëm njëri. Kështu ndodh kudo në botë kjo. Zhvillimet e pas 8 qershorit, marrëveshja e bllokut dhe zhvillimet e tjera, kanë pasur ndikimin e vet. E dini se në konferencën e parë për medie, pas asaj marrëveshjes, kam deklaruar se nuk do të realizohet kjo marrëveshje e bllokut, por po e ngritni pazarin me neve. Pra, ajo ndikoi që ata të kenë një pazar më të lartë. Ne pas një krize politike gati gjashtëmujore nuk e kishim luksin të vazhdojmë prapë me këtë krizë apo të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por kemi bërë një kompromis që unë besoj se është në të mirën e vendit. Po ashtu, dua të them se edhe në vitin 2001 kemi pasur krizë dhe z. Thaçi ka hequr dorë nga posti i kryeministrit. Kjo është hera e dytë që ai lëshon pe për hir të proceseve. Edhe pse nuk e udhëheqim qeverinë, kemi udhëheqje në qeveri. Kemi kryetarin e Kuvendit, dikasteret ministrore dhe do ta kemi edhe presidentin. Pra, PDK-ja është komode. Udhëheqja e qeverisë me marrëveshje i ka takuar LDK-së dhe ne e respektojmë. Marrëveshja nuk na është imponuar, por e kem bërë me vullnet dhe ky koalicion nuk është i zorit, por i vullneteve politike dhe obligimeve, e përgjegjësive për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Epoka e re”: Mirëpo lidershipi i PDK-së prej vitit 2007 krenohej, duke thënë se kanë vendosur standarde në skenën politike, duke ia dhënë vendit njeriun më të votuar për kryeministër?
Kuçi: Marrëveshja e bllokut ka prodhuar pasojat e veta. Ne pas gjashtë muajve nuk kemi mundur ta kemi gjendjen zero-zero. Zgjidhja që është bërë më 19 nëntor për koalicion me LDK-në ka qenë zgjedhja më e mirë e mundshme. Kjo nuk ka qenë zgjidhje ideale për asnjërën nga këto dy parti. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se me sistem proporcional askush nuk mund ta ketë shumicën në Kuvend. Me sistemin proporcional vendet e rezervuara e reduktojnë numrin e deputetëve. Kështu që, jemi të obliguar të bëjmë koalicione me dikë tjetër. Ne nuk jemi rasti i parë që si parti fituese ia kemi dhënë kryeministrin një partie tjetër, por po e them se ne i kemi ndarë përgjegjësitë. Edhe LDK-ja ka qenë partia e parë në vitin 2001 apo 2004, por ia ka dhënë dikujt tjetër postin e kryeministrit. Ne i kemi ndarë rolet. Nuk jemi larguar nga qeverisja, por kemi role të reja në udhëheqjen e vendit.

“Epoka e re”: A mund të merret mësim nga ky rast, që në të ardhmen partitë e vogla ta kushtëzojnë me postin e kryeministrit partinë që i ka fituar zgjedhjet?
Kuçi: Marrëveshja e bllokut ka krijuar disa pasoja dhe po them se është bërë mirë që nuk është realizuar ajo marrëveshje jo në raport me PDK-në, por po të realizohej ajo marrëveshje do të humbte kuptimi për t’i fituar zgjedhjet. Situata aktuale tregon se kush është i pari, shumëzohen numrat me atë, pra në këtë rast me PDK-në. Kjo parti ka qenë strumbullari i marrëveshjeve. Së dyti, ajo marrëveshje ka dhënë mundësinë e ngritjes së çmimit politik përballë partnerëve të koalicionit. Në këtë rast e kemi partinë e dytë e cila është parti solide e jo sikur të tjerat. Po e përsëris, ne do t’i marrim përgjegjësitë, do t`i ndërtojmë institucionet dhe PDK-ja dallon prej partive të tjera. Ne e vejmë interesin e vendit në radhë të parë, pastaj atë të partisë. Pra, nuk e kemi vënë partinë para shtetit dhe institucioneve. Ajo çka dua të them është se me këtë rast është bindur çdokush se me këtë Kushtetutë që kemi ai që i fiton zgjedhjet ka për ta qeverisur vendin, pra rreth tij kanë për t’u shumëzuar numrat.

“Epoka e re”: Më befasues se ky koalicion ka qenë pozicionimi i Thaçit si zëvendës i Mustafës. Ju ka befasuar një gjë e tillë?
Kuçi: Z. Thaçi ka treguar se përmbi egon personale dominon interesi i vendit, pra interesi shtetëror. Të qenurit si zëvendëskryeministër i z. Mustafa tregon përfaqësimin apo fytyrën e PDK-së në qeveri. Po ashtu, tregon stabilitetin dhe seriozitetin që ka PDK-ja për qeverisje. Kjo do të thotë se kemi hyrë përnjëmend në qeveri dhe do të bëjmë punë të mira. Ne në qeveri nuk e kemi çuar stafin e tretë apo të katërt, i cili do t’i ikte përgjegjësisë. Pra, kemi marrë përgjegjësitë që nga kreu i partisë. Po ashtu, me këtë veprim z. Thaçi ka treguar se për interesa të vendit nuk është domosdo të bëhesh vetëm kryeministër i këtij vendi. Ai i ka shërbyer vendit edhe si lider studentor, në luftë si ushtar i UÇK-së, deri tek udhëheqja e delegacionit të Rambujesë, po ashtu i ka shërbyer vendit si opozitë. Ndërsa sot po i shërben vendit si zëvendëskryeministër, kurse nesër edhe si president. Për mentalitetin ballkanik kjo nuk është shumë e lehtë. Duhet ta pranojmë këtë fakt. Po e përsëris se PDK-ja nuk është e lënduar në këtë qeverisje. PDK-ja e ka bërë me vullnet këtë marrëveshje dhe po i ruan pozicionet sipas vullnetit të qytetarëve të Republikës dhe do t’i kryejmë maksimalisht përgjegjësitë tona.

“Epoka e re”: Si e ka pritur elektorati i PDK-së koalicionin?
Kuçi: Veprimi personal i z. Thaçi ka dhënë një simbolik që askush nuk mund të insistojë në këtë vend apo t’i prishim institucionet. Por e merr përgjegjësinë që rrethanat ia përcaktojnë. Besoj se elektorati i PDK-së do të ndihet mirë me punën që do ta bëjmë në qeveri edhe z. Thaçi dhe ne të tjerët. Po ashtu, elektorati do të ndihet mirë kur z. Thaçi do të bëhet president. Ne jemi të thirrur t’i prijmë elektoratit dhe ata do ta kujtojnë se vendimi ynë ka qenë racional, sepse mbi interesat e partisë e kemi vënë interesin e shtetit. Elektorati i PDK-së, por edhe qytetarët e tjerë të Kosovës çdoherë janë shquar duke e vendosur interesin shtetëror para atij personal. Njerëzit tanë kanë qenë në gjendje për të vdekur për këtë vend. Ne kemi përgjegjësi institucionale. Ne nuk jemi shkrirë si parti dhe nuk harrojmë se jemi PDK. Nuk harrojmë se jemi partia më e madhe politike në vend. E dimë se ne nuk jemi të punësuar të askush, por jemi duke i kryer përgjegjësitë që na i ka dhënë elektorati dhe ato që i pret çdo qytetar, edhe ata që nuk kanë votuar për ne.

“Epoka e re”: Duke e ditur fuqinë politike të Thaçit, opozita dhe një pjesë e opinionit janë të mendimit se kjo qeveri ka dy kryeministra dhe ai i vërteti është z. Thaçi. Pajtoheni me këtë?
Kuçi: Jo, në kuptimin institucional politik asnjëherë. Ne do t’ia bëjmë respektin maksimal z. Mustafa. Ne ia kemi bërë respektin edhe presidentes që nuk ka pasur legjitimitet fare. Ndërsa z. Mustafa është njeriu i dytë më i votuar në Kosovë. Pastaj me votat tona, të LDK-së dhe partnerëve të tjerë, është zgjedhur kryeministër dhe ne e respektojmë atë. Ne i kemi respektuar kryeministrat edhe kur kemi qenë në opozitë. Për ne dhe për gjithë qytetarët e vendit z. Mustafa është kryeministër i vendit. Ne do t’i kryejmë punët tona dhe nuk do t’i përzihemi në punët e tij. Kjo nuk do të thotë se ne e kemi prishur identitetin, por i kemi harmonizuar programet për interesa të funksionit të institucioneve shtetërore.

“Epoka e re”: Kush do t’i marrë përsipër sukseset apo dështimet e kësaj qeverie, PDK-ja apo LDK-ja?
Kuçi: Ne do të përpiqemi të bëjmë punë të mira dhe të mbara për vendin, në mënyrë që t’i realizojmë pritjet e qytetarëve për zhvillim ekonomik, rend e ligj dhe për integrime evropiane. Po ashtu, do të mundohemi që gjithë qytetarëve t’u ofrojmë një ndjesi pozitive për qeverisjen në vend. Kjo qeveri është vazhdimësi e qeverisjes paraprake dhe natyrisht me specifikat e reja që i ka LDK-ja. Udhëheqja e qeverisë i mbetet LDK-së dhe këtu ne nuk vejmë asnjë dilemë. Në anën tjetër, secili e ka përgjegjësinë individuale dhe partiake për punën e mirë apo jo të mirë. Në fund, nëse bëjmë punë të mira, atëherë suksesi do të na mbetet të gjithëve, por edhe nëse bëjmë punë jo të mira mossuksesi do të na takojë të gjithëve.

“Epoka e re”: PDK-ja dhe LDK-ja janë rivalet kryesore politike në Kosovë. Sa do të jetë i vështirë funksionimi i këtij koalicioni?
Kuçi: Gara gjithmonë bëhet mes të parit dhe të dytit, kjo është normale. Mos harroni, ne në vitin 1999-2001 kemi qenë bashkë me LDK-në në Këshillin e Përkohshëm Administrativ. Në 2002-2004 kemi qenë bashkë në qeverisje me LDK-në, po ashtu në vitet 2007-2010 kemi qenë bashkë. Pra, po e vëreni se në periudhën më të madhe të pasluftës jemi bashkë dhe kemi bërë punë të mira për vendin. Natyrisht, edhe me lëshime dhe dobësi të caktuara. Po ashtu, kemi qenë edhe konkurrentë të vazhdueshëm. Por një punë duhet ta kemi të qartë të gjithë, konkurrenca në mes të subjekteve politike është deri në ditën e zgjedhjeve. Ani pse kësaj radhe kemi shumicën e votuesve të Kosovës, prapë do të punojmë për të gjithë qytetarët. Kjo qeveri do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Epoka e re”: A do të zgjasë ky koalicion deri në fund?
Kuçi: Ne kemi hyrë me bindje që ketë mandat qeverisës ta kryejmë me përgjegjësi të larta, me obligimet që i kemi para qytetarëve tanë. Për fajin e PDK-së nuk do të prishet ky koalicion deri në vitin 2018, kur do të mbahen zgjedhjet e tjera nacionale.

“Epoka e re”: Në fund të mandatit të kaluar, në çdo adresim për medie, z. Thaçi ka kërkuar t’u plotësohen kushtet minoriteteve dhe të formohen Forcat e Armatosura. Si do t’ia bëni këtë mandat kur kemi në Kuvend Listën Serbe që e kundërshton formimin e ushtrisë?
Kuçi: Po e vëreni se ka pasur të drejtë z. Thaçi. Realiteti po dëshmon se ka pasur të drejtë në këtë insistim. Njerëzit kanë menduar se po pretendon vetëm për t’i mbetur meritat. Jo, veprimet shtetërore u mbesin qytetarëve dhe historisë, jo individit. Ne do të punojmë bashkë, do të koordinohemi me partnerët ndërkombëtarë dhe me komunistin serb dhe joserb në mënyrë që ta kemi votimin e domosdoshëm në Kuvend dhe t’i ndërtojmë Forcat e Armatosura. Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të jenë mburojë e dikujt dhe sulm i dikujt. Ato do të jenë forca mbrojtëse të Kosovës që garantojnë çdo qytetar të Kosovës. Mbi të gjitha, Forcat e Armatosura do të jenë pjesë e krenarisë së këtij vendit, e jo pjesë e frikës.

“Epoka e re”: Një ndër sfidat e para të kësaj qeverie dhe legjislature është përshtatja e ligjeve të Kosovës për ta mundësuar funksionimin e Gjykatës Speciale. Sa sfiduese do të jetë kjo gjykatë për Kosovën?
Kuçi: Raporti i Dick Martit i miratuar në Këshillin e Evropës është një njollë që i ka ndodhur Kosovës, pastaj partnerët tanë, BE-ja dhe ShBA-ja, kanë kërkuar veprime të tilla. Kjo është një gjë e pakëndshme që i ka ndodhur vendit. Besoj se këtu do të kemi konsensus politik. Nuk është qasje e një subjekti apo një partie, por është qasje që është në raport me vendin, me imazhin e vendit dhe drejtësinë ndërkombëtare.

“Epoka e re”: A pritet të ndryshojë formati i dialogut me Serbinë, meqë është ndërruar udhëheqësi i këtij procesi?
Kuçi: Dialogu është rruga më e mirë e zgjidhjes së problemeve. Ne kemi mosmarrëveshje. Ju e dini se edhe Serbia e pati ndryshuar kryeministrin, por nuk ka ndryshuar formati i dialogut. Dizajnin e dialogut e përcaktojnë partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk besoj se ne do të lëvizim prej atij dizajni. Kontributin do ta japim secili, qoftë në negociata në Bruksel, por edhe me ato që ka nevojë të miratohen në Kosovë. Unë jam i bindur se ky proces duhet të përfundojë me atë traktatin e paqes që e kam thënë shumë vite më herët. Kjo është rruga më e mirë që nëpërmjet traktatit të paqes të rregullohen edhe çështjet e së kaluarës, së tashmes dhe të bëhet një orientim i duhur për të ardhmen Kosovë – Serbi. RTK

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close