Masakra në “Charlie Hebdo”, kjo është zyra ku u vranë drejtori dhe gazetarët

Aktualitet

masakraPas sulmit terrorist në “Charlie Hebdo”, gazeta franceze ‘Le Monde’ ka publikuar një fotografi të zyrës së gazetës, ku u vranë shumica e pjesëtarëve të stafit të saj. Zyra e mbushur me gjak dhe e shkatërruar tërësisht, i ngjan një fushë beteje. Po ashtu mediat në Francë kanë publikuar edhe një fotografi, ku gjashtë gazetarë dhe pjesëtarët e vrarë të stafit të “Charlie Hebdo”, janë fotografuar së bashku në vitin 2000. Nga e majta lartë, është Philipe Honore, Georges Wolinski, Bernard Maris dhe Jean Cabut. Para tyre në shkallë, nga e majta është redaktori Stephane Charbonnier dhe karikaturisti Bernard ‘Tignous’ Verlhac.

Gazeta satirike “Charlie Hebdo” u sulmua mesditën e djeshme nga persona të armatosur. Dhjetë gazetarë dhe dy punonjës policie u ekzekutuan me armë në ambientet e redaksisë së revistës franceze satirike, në Paris. Duke thirrur: “Allahu – Ekber” (Allahu është më i madhi), dy agresorë hynë në ambientet e revistës satirike dhe hapën zjarr duke vrarë 12 vetë. Dëshmitarë dhe pamjet që qarkulluan fillimisht nëpër rrjete sociale tregojnë agresorët, të veshur me të zeza, të maskuar e me kallashnikovë në duar, të cilët marrin në shënjestër zyrat e medias së njohur për nota të larta ironie e sarkazmë në trajtimin e çështjeve të aktualitetit, por edhe për prirjet anti-islamike. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, atentatorët flisnin shumë mirë frëngjisht dhe kanë hapur zjarr duke thirrur: “Do t’ia marrim hakun Profetit”. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, por agresorët u arratisën me një automjet, i cili u gjet i braktisur pak orë pas masakrës.

ME TE LEXUARAT