Ekonomia

Veliaj: Mbi 1400 institucione të shtetit nuk kanë paguar kontributet shoqërore

veliajRreth 53 mijë subjekte, nga të cilat 1407 institucione publike buxhetore, nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore punëtorëve të tyre të deklaruar gjatë tetë viteve të qeverisë së kaluar. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, e bëri këtë deklaratë gjatë analizës një vjeçare të punës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke theksuar se 2015 është viti i luftës ndaj informalitetit në punë.

Duke nënvizuar rëndësinë që ka marrë nga 1 janari 2015 deklarimi i plotë i pagës dhe derdhja e kontributeve shoqërore me zbatimin e reformës së re të pensioneve, z. Veliaj tha se borxhi që subjektet në fjalë i kanë Institutit të Sigurimeve Shoqërore arrin në 109.5 milion dollarë. “Në total, numri i subjekteve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punëtorë të deklaruar është 53.060 subjekte, nga të cilat 1407 janë institucione publike buxhetore, kurse 51.653 janë subjekte private. Në total, ato kanë rrezikuar pensionet e 250 mijë shqiptarëve”, deklaroi ministri Veliaj.

Ai përmendi disa nga institucionet më të rëndësishme si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, ALUIZNI, QSUT-ja etj. të cilat gjatë tetë viteve të qeverisjes së kaluar nuk u kanë paguar sigurimet punonjësve të tyre, duke u rrezikuar kështu edhe një pjesë të mirë të pensionit.

“Nëse kjo nuk do të ishte zbuluar, një pjesë e mirë e ushtarakëve do të rrezikonin të mbeteshin pa pensione. Ka reparte ushtarake të cilat kanë deri në 1 milion dollarë sigurime shoqërore të papaguara. Vendi ku kemi jetuar në 8 vite, ka qenë një vend i cili paska punuar në të zezë për mijëra zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Veç ministrive, ALUIZNI është institucioni me debinë më të madhe; një institucion që duhej të ishte përgjegjës për legalizimin e shqiptarëve që kishin ndërtuar në mënyrë ilegale, ishte vetë ilegal sepse punonte në të zezë”, tha z. Veliaj.

Nga ana tjetër, ai e cilësoi si qesharake dhe tragji-komike faktin se në 8 vitet e shkuara as Ministria e Punës dhe institucionet e saj të varësisë nuk i paguanin sigurimet shoqërore. Ndërkaq, të gjitha institucionet shtetërore do të nisin të shlyejnë menjëherë detyrimet e prapambetura për kontributet shoqërore.

Z. Veliaj tha se gjatë vitit 2014 është bërë shumë për punësimin, ndërsa këtë vit fokusi do të jetë te banorët e zonave malore dhe ato rurale. Sipas tij, papunësia në këto zona është një plagë e ndjeshme dhe pikërisht për këtë vëmendja e qeverisë gjatë 2015 do të jetë më e madhe.

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close