E filmoi "Fiksi" me ryshfet, pezullohet polici rrugor, dërgohet për ndjekje penale

Aktualitet

polici-rrugorTIRANE - Ministria e Brendshme reagon pas publikimit në emisionin “Fiks Fare” të pamjeve të një punonjësi policie të Qarkullimit Rrugor të policisë së Tiranës teksa merrte rryshfet nga një drejtues mjeti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka urdhëruar Drejtorinë e Inspektimit të Përgjithshëm që të verifikojë vërtetësinë e ngjarjes dhe sjelljen e policit në detyrë, thane sot burimet zyrtare.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas tyre, Drejtoria e Inspektimit të Përgjithshëm në MPB ka marrë në shqyrtim pamjet e transmetuara nga emisioni investigativ, ka verifikuar vërtetësinë e tyre dhe më pas i ka referuar materialet e çështjes në Shërbimin e Ankesave dhe Çështjeve të Brendshme të MPB.

Punonjësi i policisë Altin Çela është shoqëruar në ambjentet e Policisë së Qarkut Tiranë ku i është komunikuar masa e pezullimit nga Drejtoria e Qarkut Tiranë dhe fillimi i ecurisë disiplinore nga Drejtoria e Standarteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Materialet e çështjes në ngarkim të tij do ti kalojnë prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Ministria e Punëve të Brendshme falenderon emisionin "Fiks Fare" dhe inkurajon të gjithë qytetarët, që të denoncojnë çdo akti korruptiv apo të abuzimit më detyrën të punonjësve të Policisë së Shtetit në numrin pa pagesë 0800 90 90. Ky është shembulli i bashkëpunimit tonë me qytetarët dhe mediat për të bërë më të mirë shërbimin e Policisë së Shtetit dhe punonjësit e saj larg praktikave korruptive.

MPB rikonfirmon edhe një herë vendosmërinë e saj për të mos toleruar asnjë shfaqje të korrupsionit apo abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.

ME TE LEXUARAT