Kosova - Rajoni

Isa Mustafa: Nga migrimi ilegal përfitues vetëm grupet kriminale

mustafaIkja s’është zgjidhja, por duhet të zhvillojmë ndjenjën dhe kulturën e dashurisë ndaj atdheut dhe përkushtimin për ndryshime të cilat mundësojnë që të mburremi me atë që e kemi dhe të cilat mundësojnë që të krijojmë çdo gjë këtu në Kosovë, me punën dhe djersën tonë.

Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke marrë pjesë në debatin e zhvilluar në Këshillin për Integrim Evropian për migrimet, dukem shtuar se migrimet përbëjnë një histori të dhimbshme ndër shekuj të popullit tonë dhe ato mund të jenë të tillë edhe në këtë shekull.

Ikja tani e njerëzve nga vendi ynë, tha në fillim kryeministri Isa Mustafa, dhe kërkimi i shpëtimit jashtë mund të jetë i kushtëzuar nga shumë faktorë ekonomikë dhe socialë. “Vetë fakti i ikjes së një numri të madh të qytetarëve tanë është shumë brengosës për ne. Jemi të vetëdijshëm se kjo mund të ndikojë në proceset integruese dhe në procesin e liberalizimit të vizave, si procese shumë të rëndësishme për Kosovën. Por, në anën tjetër, askush nuk mund të presë nga qytetarët e Kosovës se ata do ta parapëlqejnë geton në këtë pjesë të Evropës dhe izolimin nga pjesa tjetër e botës, në kushtet e ndërvarshmërisë të zhvillimin ekonomik, zhvillimit arsimor, zhvillimit shëndetësor dhe të zhvillimit kulturor, në një botë të globalizuar ashtu siç ne dëshirojmë ta quajmë”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se përmes migrimit ilegal po përfitojnë vetëm grupet kriminale dhe po dëmtohen që të gjithë, edhe qytetarët e Kosovës, edhe shteti i Kosovës edhe vendet në të cilat po migrojnë qytetarët tanë. Fatkeqësisht migrimi ilegal dëshmon për nivelin e organizimit të strukturave të krimit dhe trafikantëve, të cilët nuk njohin as kufij, nuk po njohin as etni dhe nuk po respektojnë ligjin.

Unë, tha Mustafa, mund të them se Qeveria e Kosovës po punon me përgjegjësi për të parandaluar këtë dukuri. Siç u shpreh ai, Kosova është vend i sigurt dhe qytetarët e saj mund të kenë zgjidhje shumë më të mira këtu, sesa ta marrin botën në sy.

Kryeministri theksoi se Qeveria po punon për të krijuar perspektivë të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, për punësim sezonal, veçmas për të arritur marrëveshje me vendet e tjera për punësim sezonal, për të ngritur cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë, për vetëpunësim të të rinjve dhe për të krijuar një ambientit të volitshëm për investitorët vendorë dhe të jashtëm.

“Ky shtet është themeluar për qytetarët e saj, ky shtet do t’ju shërbej qytetarëve të saj dhe po ashtu do t’ju shërbej mirëqenies së tyre”, – shtoi ai. Kryeministri Mustafa shfaqi bindjen se liberalizimi i vizave dhe hapja e mundësisë që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm, sikurse edhe njerëzit e tjerë të këtij kontinenti, do të ndikonte që shkuarja e njerëzve tanë në vendet evropiane të mos jetë migrim as ikje, por të jetë një shkuarje për kthim në Kosovë ashtu siç ndodhë edhe në vendet e tjera.

Është e qartë, tha kryeministri duke përfunduar fjalën e tij, se vendet evropiane nuk ofrojnë azil për qytetarët tanë, që e konsiderojmë shumë të arsyeshme, prandaj nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë i të gjithë faktorëve relevantë, qeverisë, mediave, shoqërisë civile dhe faktorëve ndërkombëtar që janë këtu për të informuar qytetarët tanë për pasojat e migrimit. Ne po ashtu, nuk duhet të krijojmë heronj nga ata që ikin dhe nga ata që thonë se kurrë nuk do të kthehen në Kosovë, as nga rastet tragjike e të dhimbshme, por duhet të zhvillojmë ndjenjën dhe kulturën e dashurisë ndaj atdheut dhe përkushtimin për ndryshime të cilat mundësojnë që të mburremi me atë që e kemi dhe të cilat mundësojnë që të krijojmë çdo gjë këtu në Kosovë me punën dhe djersën tonë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close