Kreu i OSHEE: Qytetarët mbështesin kthimin në normalitet të sistemit energjitik

Aktualitet

cela-osheeeAdministratori i Përgjithshëm të OSHEE-së, Adrian Çela në aktivitetin “Rimëkëmbja energjitike-Rezultatet e vitit 2014” ka bërë një pasqyrim të punës së bërë nga institucioni që ai drejton me qëllim garantimin e furnizimit me energji dhe mirëmenaxhimin e sistemit.

“Nuk ka dyshim se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është një nga kompanitë më të vështira për tu menaxhuar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Furnizimi me energji elektrike është një shërbim që prek drejtpërdrejtë çdo qytetar kudo qoftë ai, në qytet apo fshat, në veri apo në jug.

OSHEE-ja është gjithashtu pika nevralgjike e sistemit energjitik shqiptar. Një kompani me performancë të dobët bëhet barrë për qytetarët, të cilët si rezultat marrin shërbim jo cilësor. Një kompani me performancë të dobët, bëhet barrë edhe për Buxhetin e Shtetit që detyrohet të shpërdorojë taksat e qytetarëve duke subvencionuar sistemin energjitik. Kjo do të thotë, më pak shkolla, më pak kopshte, më pak rrugë dhe investime publike”, tha kreu i OSHEE në fjalën e tij.

Ai evidentoi faktin se është ky pozicion nevralgjik që e bën OSHEE-në më të ndërgjegjshme për rëndësinë e misionit të saj dhe sfidat me të cilat duhet të përballet.

“Gjej rastin të falenderoj Kryeministrin Rama, ministrat Gjiknuri e Tahiri, Policinë e Shtetit dhe qeverinë në tërësi, për mbështetjen që i ka dhënë OSHEE-së në përmbushjen e detyrimeve të saj për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike.

Nuk duhet të harrojmë gjendjen e trashëguar në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kjo, jo për tu justifikuar por për të kuptuar më qartë gjendjen ku jemi aktualisht dhe sfidat me të cilat duhet të ndeshemi, për të arritur tek shëndoshja e kompanisë dhe shërbimi sa më cilësor për qytetarët”, tha Cela.

Sipas tij, në vitin 2013, bilanci ekonomik i kompanisë regjistronte një humbje vjetore në shumën 246 milionë USD. Shifër kjo, e barabartë me totalin e parave të arkëtuara për 11 muajt e të njëjtit vit. Detyrimet për tu paguar prej shoqërisë, ndaj palëve të treta kishin kapur nivelin e rreth 1 miliard USD.

“Përpara privatizimit, kompania kishte një nivel humbjesh vjetore prej 34%. Në vitin 2013 e gjetëm këtë tregues në nivele alarmante, plot 45% të energjisë totale të hedhur në rrjet.

Niveli i arkëtimeve ishte vetëm 77% e faturave të lëshuara ndërsa fatura korente kishte rrëshqitur në vetëm 67% mbledhje.

Këta tregues e kishin futur kompaninë në një spirale të rrezikshme të kolapsit dhe falimentit”, nënvizoi më tej kreu i OSHE.

Prej vitesh nuk ishin kryer investime në rrjetin e shpërndarjes duke e lënë në mëshirë të fatit. Si rrjedhojë, gjetëm mbi 80 % të rrjetit me vjetërsi mbi 35-40 vjeçare. Sisteme të matjes të dëmtuar, kabinat e shkatërruara, linjat e amortizuara.

Kokretisht:

• Nga 171 nënstacione, 154 prej tyre janë ndërtuar para 38 vitesh

• Nga 45 mijë km linjë shpërndarje, 41 mijë kanë “moshë” 35 - 40- vjeçare

• Nga 25 mijë transformatorë, 20 mijë kanë një “moshë” 34-vjeçare

• nga 24600 kabina elektrike, 20 mijë janë ndërtuar para 35 vjetësh

Kreu i OSHEE tha se një situatë e cila kishte përkeqësuar cilësinë e furnizimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

“Me kënaqësi konstatoj se gjatë vitit 2014 kemi shënuar pikën e kthesës. Së pari, kemi arritur të ndalim spiralen negative në të cilën ishte zhytur kompania.

Si pasojë e një mirëmenaxhimi të saj, humbja financiare vjetore e trashëguar u reduktua në nivelin e 45 milionë USD.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me mbështetjen e qeverisë, ka ecur në rrugë të mbarë drejt rivendosjes së ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Puna e bërë gjatë gjithë vitit, kulmoi me operacionin masiv kundër hajdutërisë.

Rezultatet janë të dukshme dhe të rëndësishme. Arkëtimet e faturës totale mujore kanë arritur nivelin e 87% duke shënuar rritje me 10% krahasuar me një vit më parë.

Pagesa e faturës korente ka arritur në nivelin 72%. Mbyllja e të dhënave të dhjetorit do të sjellë sërish rritje me mbi 5% krahasuar me një vit më parë.

Lufta ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë elektrike është përkthyer drejtpërdrejtë më uljen e nivelit të humbjeve në rrjet dhe rritjen e arkëtimeve.

Në vitin 2013 ishin mbledhur 38.4 miliard lekë, ndërsa në vitin 2014 arritëm në 49.1 miliard. Pra, rreth 100 milion USD më shumë të ardhura vetëm në një vit, krahasuar me 2013-n.

Humbjet vjetore në sistemin e shpërndarjes janë reduktuar me 16% krahasuar me të njëjtin tregues të një viti më parë. Nga 45.04% në vitin 2013, mesatarja e vitit që sapo mbyllëm arriti në 37.81%.

Këto rezultate kanë ardhur si pasojë e rritjes së sasisë së energjisë së faturuar, uljes së numrit të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet dhe përmisimit menaxherial të kompanisë”, tha Cela.

Sipas tij, masat e ndërmarra për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike kanë gjetur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve.

Gjatë vitit 2014 janë nënshkruar 82215 akt-marrëveshje për shlyerje të debive. Dua të nënvizoj faktin se 72100 prej tyre janë firmosur vetëm për periudhën Nëntor-Dhjetor, që përkon me kohën kur hyri në zbatim skema lehtësuese e ofruar nga qeveria dhe kompania.

34875 familje kanë përfituar nga ulja e me 80% e kamatëvonesave. 3595 familje në skemë ekonomike kanë përfituar nga skema lehtësuese e likujdimit të borxheve.

Nga 25807 kontrata të reja të lidhura në vitin që sapo mbyllëm, 50% e tyre i përkasin vetëm dy muajve të fundit Nëntor-Dhjetor.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke përjetuar një nga momentet historike të shndërrimit të tij nga një kompani kaotike, në nje shoqëri me model menaxhimi efikas dhe modern.

Këto arritje nuk janë fundi. Janë një pikënisje shumë e mirë dhe ambicia jonë mbetet për të ecur më shpejt.

Gjatë këtij viti të ri, OSHEE do të angazhohet për të reduktuar edhe më tej bilancin e saj negativ ekonomik duke e përmirësuar atë me së paku 18%. Një objektiv, që do të arrihet edhe përmes një menaxhimi më efiçent të shpenzimeve administrative të kompanisë.

Objektivi ynë për vitin 2015 mbetet ulja me mbi 5% e nivelit të humbjeve vjetore dhe rritja e nivelit të arkëtimeve në masën 85% të faturës koherente.

Do të fillojmë një program investimi me mbi 50 milionë dollarë, me synim përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, cilësinë e furnizimit dhe reduktimin e humbjeve teknike.

OSHEE do të ristrukturojë shërbimin e Kujdesit ndaj Klientit duke e sjellë atë më afër qytetarët, për të ju përgjigjur në kohë të gjitha ankesave dhe kërkesave të tyre. Qoftë edhe duke ofruar mundësinë e ndjekjes hap pas hapi on-line të ecurisë së këtij procesi.

Përmes investimeve do të mund të plotësojmë me matësa të gjithë ata konsumatorë të cilëve ai u mungon.

OSHEE garanton se do ta bëjë pjesë të punës së saj të përditshme e të përhershme disiplinën e pagesave dhe luftën ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë elektrike.

Nuk do të ketë asnjë tolerancë për mospagesë energjie, do të zbulojmë çdo lidhje të paligjshme, çdo konsum abuziv energjie, kudoqoftë ai.

Energjia nuk duhet dhe nuk mund të konsiderohet më si “mall pa zot”. Secili duhet të paguajë atë që konsumon. Askush nuk duhet të paguajë për vjedhjen e të tjerëve.

Falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët e ndershëm që i janë përgjigjur pozitivisht këtij angazhimi të OSHEE-së. i garantoj se çdo ditë do të jemi edhe më pranë tyre, me shërbim edhe më cilësor.

Nuk kemi aspak kohë për të humbur. Duam ta kthejmë shoqërinë në shërbim të qytetarëve.

ME TE LEXUARAT