Veliaj: Kompensim për energjinë familjeve në nevojë; rrisim moshën e daljes në pension për funksionarët e shtetit

Aktualitet

veliaj qeveriaPensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara do të marrin 648 lek/muaj si kompensim pas heqjes së fashës për energjinë elektrike. Kurse, mosha e daljes në pension për funksionarët e lartë të shtetit do të rritet me pesë vjet, nga 55 që ishte, në 60 vjeç. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, njoftoi gjatë një konference për shtyp dy vendimet e sotme të qeverisë shqiptare.

Ai tha se janë 203.928 familje, të cilat do të marrin kompensim për energjinë elektrike dhe se kategoritë që përfitojnë janë:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

 

- Familje me ndihmë ekonomike                                                      88.094

- Kryefamiljarë në pensione pleqërie e invaliditeti                           80.000

- Familje që kanë në përbërje PAK                                               7000

- Të verbër (sipas VKM nr. 404, datë 20.6.2012)                         13.016

- Para e tetraplegjikë (sipas VKM nr. 404, datë 20.6.2012)         6818

- Punonjës buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj             9000

 

“Sot kemi një shtet i cili nuk shpërblen vjedhjen e energjisë, shkeljen e ligjit, mospagimin e taksave apo sigurimeve shoqërore, por shpërblen sjelljen e mirë dhe sipas ligjeve të këtij vendi”, u shpreh z. Veliaj, duke nënvizuar se arsyeja pse do të kompensohen kategoritë si pensionistët apo personat me aftësi të kufizuara, është pikërisht pse janë edhe kategoritë më të rregullta në pagesat e energjisë.

Duke folur për pensionet e funksionarëve të lartë të shtetit, ministri Veliaj tha se qeveria e ka kaluar tashmë projektligjin për shqyrtim në Kuvend dhe se rritja e moshës së daljes në pension për këtë kategori nga 55 në 60 vjeç, shoqërohet me uljen me pesë vjet të moshës për minatorët. Ai tha se ky është një vendim i drejtë dhe social që qeveria mori për rreth 3800 minatorë shqiptarë.

Veliaj mori kohë edhe për të sqaruar problemin e borxhit të sigurimeve shoqërore të shumë institucioneve private dhe shtetërore, duke nënvizuar se në tetë vitet e fundit në Shqipëri është bërë rrumpallë me një faturë financiare që shkon deri në 109.5 milion dollarë. Ai tha se shifra e 250 mijë shqiptarëve, të cilëve u janë rrezikuar pensionet, i referohet institucioneve shtetërore dhe atyre private.

“Ka boshllëqe një mujore, ca të tjera janë disa muaj, të tjera janë disa vite e disa institucione nuk i kanë paguar për tetë vjet gjatë qeverisë së kaluar. Pasi të bëjmë një filtrim të të gjithë materialit, dosjet do t’ia përcjellim prokurorisë dhe ky bashkëpunim shpresoj se do t’i japë frytet e veta shumë shpejt, për të treguar se ata që kanë përgjegjësi për këtë krim ekonomik duhet të dalin para ligjit”, tha z. Veliaj.

Ai siguroi qytetarët se institucionet shtetërore kanë filluar t’i paguajnë prapambetjet me sigurimet shoqërore, si dhe shtoi se nga kjo javë, të gjitha kompanitë private që kanë detyrime të prapambetura do të marrin një letër ku do të ftohen për të kryer pagesat. “Nuk është qëllimi ynë të prishim imazhin e kompanive, por duam që çdo punëtor në Republikën e Shqipërisë të mos konsiderohet skllav. Nëse dikujt i është mbajtur 9.5% e rrogës për të paguar sigurimet shoqërore dhe kjo nuk është derdhur pranë tatimeve, quhet vjedhje”, u shpreh z. Veliaj.

Ai inkurajoi të gjitha kompanitë private që të nxitojnë t’i paguajnë prapambetjet brenda datës 15 shkurt, duke nënvizuar se pas kësaj date do të nisë një fushatë sanksionesh. Gjithashtu, ai u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet e punës në të zezë në adresën e-mail [email protected].

 

ME TE LEXUARAT