Ekonomia

MMSR dhe OSHEE marrëveshje bashkëpunimi për punësimin e të rinjve

cela veliajMinistria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nënshkruan sot një memoradum bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave dhe kurseve për nxënësit e shkollave profesionale me profil teknik-elektrik. Ministri i MSR-së, z. Erion Veliaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i OSHEE-së, z. Ardian Çela, vlerësuan firmosjen e kësaj marrëveshjeje, duke nënvizuar se ajo ndihmon në punësimin e të rinjve që ndjekin arsimin profesional.

“Projekti i modernizimit të rrjetit energjitik fillon me përgatitjen e një stafi të ri teknik nga shkollat dhe qendrat tona të formimit profesional. Lajmi i mirë që japim sot për nxënësit që ndjekin arsimin profesional është se së shpejti kompania OSHEE do të krijojë 1500 vende të reja pune”, tha ministri Veliaj. Ai nënvizoi se duhet shfrytëzuar maksimalisht çdo mundësi punësimi për të rinjtë që ndjekin shkollat profesionale.

“Raporti i fundit i Organizatës Botërore të Punës na tregoi se Shqipëria është ende larg aftësive që kërkon tregu i sotëm i punës. Të qenit militant apo elektriçist i thjeshtë nuk mjafton për të qenë një teknik i aftë i një rrjeti modern, i cili kërkon të shkurtojë humbjet në rrjet dhe të ofrojë një shërbim cilësor”, u shpreh ai.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes MMSR dhe OSHEE-së synon t’i garantojë OSHEE-së, në një të ardhme të afërt, një gjeneratë të re profesionistësh.

“Rreth 47% e punonjësve të OSHEE-së janë të moshës mbi 51 vjeç dhe 11% i përkasin moshës mbi 60 vjeç. Është e natyrshme se në këtë gjendje kompania e ka të vështirë t’i përgjigjet sfidave që kërkojnë përveçse njohuri, edhe energji e vullnet për të lëvizur më shpejt drejt rezultateve. Fatkeqësisht vendit i mungojnë profesionistët e rinj dhe ky është objektivi ku duhet të përqendrohemi”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OSHEE-së, z. Çela.

Duke u fokusuar te çështja e sigurimeve shoqërore dhe e punës në të zezë, ministri Veliaj e cilësoi borxhin e prapambetur të kontributeve si gropën më të madhe financiare pas asaj të energjisë. “Lajmi i mirë është se shumica e institucioneve shtetërore po i kryejnë pagesat dhe brenda afatit që kemi vendosur, pra në 15 shkurt, gjykoj se vendi do të jetë pastruar nga puna në të zezë”, tha ai.

Z. Veliaj tha se synimi kryesor është që asnjë punonjës që ka punuar të mos mbetet qoftë edhe një ditë pa sigurime shoqërore. “Megjithatë, debia buxhetore është sa 1/5 e borxhit total; 4/5 janë debi nga rreth 50 kompani të mëdha, të mesme, e të vogla. Të gjitha këto kompani do të marrin nga një letër të detajuar, nëpërmjet të cilës do t’u kërkojmë që brenda datës 15 shkurt të paguajnë të paktën principalin”, shtoi ai.

Ministri Veliaj u bëri thirrje të gjitha kompanive që të respektojnë afatin e caktuar, si dhe ftoi qytetarët të denoncojnë çdo rast të punësimit në të zezë.

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close