Hapen plazhet e Evropës, çfarë duhet të dini nëse planifikoni pushime jashtë Shqipërisë

Aktualitet
Hapen plazhet e Evropës, çfarë duhet të dini nëse

Ndërkohë që pjesë të Europës ndërmarrin hapa të shpejtë për të lehtësuar izolimin, një udhëtim në plazh tani përfshin edhe disa gjëra shtesë: maska ​​për fytyrën, dezinfektues dhe distancim social.

Vende të tilla si Greqia, Italia dhe Spanja janë shumë të varur nga turizmi. Por gjatë pandemisë së koronavirusit, shumë plazhe kanë qenë jashtë limiteve. Me afrimin e verës, vendasit po i drejtohen disa zonave me plazhe të Europës, por shumë gjëra kanë ndryshuar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Plazhet e Greqisë

Në Greqi janë rihapur më shumë se 500 plazhe ndërsa temperaturat janë sa vijnë e rriten ndjeshëm. Në vend të plazheve të mbushura me njerëz para pandemisë, tani në plazh nuk lejohen më shumë se 40 persona në 1,000 metra katrorë, me çadrat në to të vendosura në një distancë prej katër metra larg njëra-tjetrës, raporton Reuters.

Në plazhet afër Athinës, dronët paralajmërojnë plazhistët nëse ata shkelin rregullat e distancimit social.

“Ne e mbajmë distancën, respektojmë shëndetin publik,” dëgjohet të thonë dronët e telekomanduar ndërsa shpërndajnë çdo grup njerëzish që mblidhet në plazh, sipas The Guardian.

Përveç aromës së detit, kripës dhe rërës, vizitorët në plazhet e Athinës tani do të hasin edhe në dezinfektues. Kujdestarët e plazhit spërkatin shezlonët pasi secili klient ka përfunduar përdorimin e tyre. Dhe në ishullin e Santorinit, janë vendosur ndarëse të mëdha për të mbrojtur plazhistët e akomoduar në to nga plazhistët e tjerë që kalojnë aty pranë.

Greqia ka regjistruar më shumë se 2,800 raste të konfirmuara me COVID-19, sipas John Hopkins University & Medicine, një shifër dukshëm më e ulët sesa shumë nga fqinjët e saj.

Jeta e plazhit në Itali

Italia është ndër vendet evropiane më të prekura nga pandemia COVID-19, me më shumë se 225,000 raste të raportuara dhe më shumë se 32,000 vdekje. Vendi po lehtëson me kujdes masat e izolimit.

Ashtu si Greqia, plazhet e Italisë po hapen me rregulla distancomi social. Edhe pse serfistët po u rikthehen dallgëve, vizitorët më maska nuk janë diçka e pazakontë.

Qyteti bregdetar Porto Cesareo në rajonin e Pulias ka çadra plazhi të vendosura 1,5 metra larg njëra-tjetrës, me litarë që formojnë një kordon sigurie midis pushuesve.

Kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare kanë ulur ndjeshëm fluksin e vizitorëve të huaj në resortet italiane. Këtë vit, ata mund të duhet të mbështeten te vizitorët vendas.

Ministri i turizmit dhe kulturës i Italisë, Dario Franceschini, së fundmi njoftoi një paketë masash për të ndihmuar industrinë e turizmit të vendit, e cila është goditur ndjeshëm nga pandemia, duke përfshirë mbështetje financiare për punonjësit sezonalë, si edhe lehtësim taksash për kompanitë që janë pjesë e kësaj industrie.

Resortet spanjolle

Edhe Spanja është prekur shumë nga pandemia e koronavirusit, me më shumë se 230,000 raste të konfirmuara. Në zonat e lejuara, baret dhe restorantet tani mund të hapin tarracat e tyre, por janë të kufizuar në jo më shumë se 50% të kapacitetit të tyre. Hotelet dhe vendet e tjera për akomodimin e turistëve mund të rihapen, me kusht që vizitorët të mos përdorin zona të përbashkëta.

Vendi planifikon të heqë plotësisht masat kufizuese deri në fund të qershorit. Përpara kësaj date, pishinat dhe plazhet janë lejuar të rifillojnë aktivitetin në kushte të caktuara. Pishinat mund të hapen për publikun, por përdorimi i tyre do të jetë i mundur vetëm duke rezervuar më parë, me një kapacitet maksimal 30%, dhe ato duhet të pastrohen tre herë në ditë.

Edhe plazhistët duhet të respektojnë distancimin social dhe aktivitetet sportive, profesionale dhe rekreative lejohen të gjitha, për sa kohë që ato mund të kryhen në mënyrë individuale dhe pa kontakte fizike.

Turizmi kontribuoi më shumë se 177 miliardë euro në PBB-në e Spanjës në vitin 2018 dhe plazhet e vendit janë një magnet për pushuesit nga vendet e tjera të Europës dhe më gjerë.

Një ekonomi e dëmtuar për shkak të masave kufizuese të ndërmarra, kë më shumë se 300,000 kompani në industrinë e turizmit në Spanjë të përballen me një të ardhme të pasigurt. Një situatë e ngjashme ekziston edhe në vendet e tjera të Europës, përfshirë Italinë – e cila ka më shumë se 350,000 kompani turistike – dhe Greqinë.

Në lehtësimin e masave kufizuese të ndërmarra për shkak të COVID-19, këto vende po vënë në peshore kostot shëndetësore për hapjen e shpejtë kundrejt kostove ekonomike në hapjen më ngadalë të vendit. Me mbylljen e kufijve ndërkombëtarë, këtë vit këto vende mund të duhet të kënaqen me turistët e vendeve të tyre. Këto vende, ashtu si edhe shumë pjesë të tjera të ekonomisë globale, i presin kohë të vështira./ reporter

ME TE LEXUARAT