OSHEE nis investimet në Shkodër, Çela: Mjaft abuzimit me energjinë

Aktualitet

cela-osheePas shumë vitesh, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vendosur të vërë në zbatim planin e masave konkrete që parashikon investime në disa milionë dollarë për rajonin e Shkodrës.Administratori i OSHEE, z.Adrian Çela e ka nisur nga kryeqendra e veriut fushatën e inspektimeve në terren, për të komunikuar drejtpërdrejtë me punonjësit, për t’i njohur me objektivat e shoqërisë dhe për të para nga afër problematikën që pengon zhvillimin e rrjetit dhe shërbimet.

“Shkodrës i kanë mungur investimet prej shumë vitesh, kurse mospagesat e faturave dhe vjedhjet e energjisë e lektrike i kanë amplifikuar problemet duke e bërë më të vështirë mengaxhimin e sektorit”, u shpreh për mediat kreu i OSHEE-së.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Duke u ndalur te investimet, administratori Çela theksoi se parashikohen miliona dollarë, ku vetëm për zëvendësimin e linjave të vjetra mbi 35-vjeçare do të shpenzohen deri në 2 milionë USD.

Investimet, ndër të tjera, konsistojnë në plotësimin e nevojave për matës të energjisë, proces që do të nisë zbatimin në 6-mujorin e dytë 2015 dhe shtrihet deri në fillim të 2016-s; do të vendosen kabllo të reja, do të zëvendësohen linjat ekzistuese me modele të standardeve bashkëkohore, si dhe do të ndërhyhet në të gjitha kabinat dhe transformatorët që kanë probleme.

I pyetur nga mediat, administratori i OSHEE-së, theksoi se aksioni i nisur në nëntor 2014 vijon me ritme të larta, pra nuk është provizor, madje do të shtrihet më tej, pasi sipas tij, abuzuesit e energjisë elektrike nuk do të tolerohen, pa asnjë dallim!

“Ne kemi vendosur disa targete dhe nëse Shkodra dhe i gjithë rajoni i saj kërkon të japë shembull se po ndryshon, atëherë duhet japë maksimumin pasi ka shumë punë për të bërë.

Konsumatorët duhet ta kenë të qartë se nuk ka tolerim, nuk ka kthim pas, nuk po luajmë, por e kemi marrë seriozisht. Të gjithë duhet të paguajnë energjinë elektrike. Gjej sërish rastin t’i bëj apel debitorëve që të bëhen pjesë e skemave lehtësuese që ofron OSHEE-ja, deri më 28 shkurt; pagesa me këste dhe falje të 80% të kamatës, nëse lidhin marrëveshje me ne, gjithnjë duke respektuar kushtet. Pas datës 28 shkurt nuk ka më tolerim!!”, shtoi më tej Çela.

Sipas numrit një të OSHEE-së, rajoni Shkodrës ka mangësi edhe në pjesën e burimeve njerëzore dhe se në fund të muajit janar do të nisin testimet e para për rekrutimin e stafit të ri.

Në lidhje me ankesat e shumta, Çela nënvizoi se, ato shqyrtohen deri në detaj dhe se janë trajtuar në muajt nëntor-dhjetor 2014, mbi 50 mijë ankesa, sikurse shtoi se jo të gjitha çështjet qëndrojnë.

“Duhet të jemi realist pasi procesi i shyqrtimit të tyre kërkon pak kohë. Aktualisht jemi duke kryer një reformë në shërbimin e kujdesit ndaj klientit (KNK). Ne duam që të delegojmë zgjidhjen e problemeve edhe në degët rajonale të OSHEE, pasi sot e kemi centralizuar këtë shërbim në qendër. Një tjetër reformë konsiston në monitorimin e shqyrtimit të ankesës edhe online. Besoj se kalvari i ankesave do të marrë fund brenda këtij 6-mujori”.

ME TE LEXUARAT