Avokati i Popullit: Burgjet s`mbajnë më, 1340 veta flenë në dysheme

Aktualitet

jorida-rustemiiiAvokati i Popullit u tërheq vëmendjen Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Rendit lidhur me mbipopullimin në ambientet e sigurisë në komisariatet e policisë si dhe burgje. Nga inspektimet e kryera nga ky institucion, rezulton se rreth 1340 persona në burgje flenë përtokë, madje dhe pa dyshekë.

“Mbi kapacitetin zyrtar prej 4537 personave, aktualisht në IEVP mbipopullimi kap shifrën e 1340 personave, pra rreth 40% mbikapacitet, që flenë përtokë me dyshekë, por në disa raste edhe pa dyshekë e vetëm me batanije, dhe me turne. Madje shqetësuese është që një pjesë e këtyre personave janë edhe me probleme të shëndetit mendor”, tha Jorida Rustemi, zyrtare e AP.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas saj, kjo situatë, shkel jo vetëm të drejtat e personave të privuar nga liria, por krijon premisa për trajtim çnjerëzor dhe degradues ndaj tyre. Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë të marrë masat për të krijuar kushte të përshtatshme për personat e privuar nga liria.

“Institucioni i Avokatit të Popullit sugjeron të merren masa të menjëhershme për të kufizuar mbipopullimin e IEVP-ve dhe paraburgimeve, me objektivin që çdo qeli të ofrojë minimalisht 4 metra katrorë hapësirë jetike për person. Të merren masa të menjëhershme për përgatitjen nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të një propozimi formal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, për rritjen e masave të dënimeve alternative jo penitenciare, për persona të cilët kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Marrjen në konsideratë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për paraqitjen përpara Kuvendit të Shqipërisë të një projektligji për amnisti të të dënuarve që kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore”, deklaroi Jorida Rustemi.

E njëjta situatë mbipopullimi ka rezultuar edhe në komisariatet e policisë, si në Elbasan, Lezhë, Berat, Korçë, komisariati 3 dhe 5, dhe Drejtorinë e Qarkut në Tiranë. Madje në disa raste, persona me masë sigurie vijojnë të qëndrojnë në dhomat e sigurisë në komisariat, gjë e cila sipas Rustemit është në kundërshtim të plotë me kuadrin ligjor.

ME TE LEXUARAT