Isa Mustafa nuk e shkarkon Aleksander Jabllanovicin

Kosovë&Rajon

qeveri-kosoveQeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, nuk e ka shkarkuar ministrin për kthim dhe komunitete, Aleksander Jabllanovic.

Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij, i ka inkurajuar qytetarët që të kërkojnë zgjidhje për problemet dhe shqetësimet e tyre përmes rrugëve institucionale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kryeministri Mustafa ka dënuar dhunën e përdorur gjatë protestës së të shtunës. Madje Mustafa, në emër të Qeverisë ka ftuar organizatorët e protestës që të marrin përgjegjësinë për sulmin në ndërtesën e qeverisë.

“Qeveria e respekton të drejtën e protestës. Qeveria konsideron se vendi ynë po ballafaqohet me probleme të shumta. Qeveria i vlerëson shqetësimet e qytetarëve dhe e konsideron të rëndësishëm ndërtimin e raporteve mes të gjitha grupeve etnike e fetare. Zgjidhja institucionale është e vetmja mundësi”, ka thënë kryeministri.

Ndërkohë, ministri Jabllanoviq ka thënë se i vjen keq që deklaratat e tij po keqpërdoren dhe po përdoren për qëllime politike.

“Unë nuk e kam pasur ndërmend që ta lëndoj askënd me deklaratat e mia, e aq më shumë nënat gjakovare. Unë jam shprehur vetëm për ata njerëz që kanë qenë atë ditë në Gjakovë dhe për të cilët kam kërkuar falje”, deklaroi ai.

“Më vjen keq që deklaratat e mia po përdoren politikisht”, ka thënë Jabllanoviq.

Ndryshe, mbledhja e sotme e Qeverisë pati për temë diskutimi shqyrtimin e projekt-programit kombëtar, për reforma në ekonomi për vitin 2015 dhe shqyrtimin e raportit vjetor financiar për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2014.

Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e lexuar nga kryeministri Isa Mustafa, gjatë mbledhjes së 10-të të kabinetit qeveritar

Qeveria e Republikës se Kosovës respekton të drejtën e protestës si një e drejtë e shprehjes së shqetësimeve dhe mendimit qytetar.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se vendi ynë po ballafaqohet me shumë probleme zhvillimore, të papunësisë së lartë dhe varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat duhet të adresohen me prioritet, prandaj i vlerëson edhe shqetësimet e qytetarëve. Këto shqetësime, Qeveria i ka vendosur në agjendën e prioriteteve dhe do të punojë më shumë përkushtim që t'i realizojë gjatë mandatit të saj.

Qeveria e konsideron shumë të rëndësishme ndërtimin e raporteve dhe besimit reciprok ndërmjet të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe me të gjithë pjesëtarët e grupeve etnike dhe fetare dhe domosdoshmërinë që institucionet demokratike ta ushtrojnë sovranitetin kushtetues në tërë territorin e vendit.

Republika e Kosovës me demokraci parlamentare, institucionet qeverisëse i ndërton mbi votën e lirë të qytetarëve, prandaj vetëm vota e lirë vendosë mbi legjitimitetin e këtyre institucioneve. E konsiderojmë të papranueshme dhe jo kushtetuese çdo tentativë që Parlamenti i Kosovës të zhvendoset dhe të zëvendësohet me parlament të shesheve.

Zgjidhja institucionale është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme e të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Qeveria i garanton qytetarët se për të gjitha pasuritë e saj, do të vendosin institucionet e Republikës së Kosovës, të dala nga vota e lirë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës nëpërmes një konsensusi të gjerë politik, institucional dhe shoqëror.

Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme dhe i dënon ashpër aktet vandale të disa protestuesve ndaj policisë, objekteve qeveritare, pronave private, përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha dhunën fizike ndaj qytetarëve të Kosovës. Qeveria konsideron se sjelljet e manifestuara nga disa protestues nuk pasqyrojnë kulturën tonë demokratike. Qeveria kërkon nga organizatorët e protestës të mbajnë përgjegjësi për aktet vandale.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët e Kosovës, për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë. Deklaratat individuale nuk mund të shërbejnë si pretekst për të eskaluar situata. Eskalimi i situatës iu konvenon vetëm armiqve të Kosovës dhe e dëmton rrugën e saj për zhvillim dhe drejt integrimeve evropiane.

Qeveria shpreh bindjen e plotë se orientimi i shumicës dërmuese të qytetarëve për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë dhe orientimi Euro Atlantik mbetet i palëkundur në Kosovë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, por poashtu shpreh vendosmërinë që mos të lejoj askënd që për synime politike të rrezikojë dhe dëmtojë pronën publike dhe institucionet e shtetit.

Qeveria kërkon nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë, të ndërmerr masa ndaj gjithë atyre që shfrytëzuan protestën e së shtunës për të cenuar dhe dëmtuar institucionet e vendit dhe pasurinë e tyre. Kërkon nga policia dhe institucionet e tjera të vendit që mbi bazë të ligjit dhe Kushtetutës të ruajnë këto institucione dhe qytetarët tanë.

Qeveria kërkon nga subjektet politike dhe liderët e tyre, që synimet dhe ambiciet e tyre politike t’i realizojnë përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike e jo të shfrytëzojnë pretekste të ndryshme, përfshirë edhe deklaratat e pamatura të qeveritarëve, për të arritur qëllime politike në mënyrë jodemokratike.

Qeveria do të bashkëpunojë me të gjitha partitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit për të adresuar të gjitha kërkesat e tyre në rrugë ligjore dhe kushtetuese.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, për të forcuar sovranitetin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në sa më shumë mekanizma ndërkombëtarë, ndërsa në planin e brendshëm fokusi ynë do të jetë ekonomia dhe forcimi i shtetit të së drejtës.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh vendosmërinë që të mos tolerojë zhvillime të cilat cenojnë vendin, cenojnë institucionet, pronën dhe pasurinë publike e private, dhe veçmas sigurinë dhe jetën e qytetarëve të saj.

ME TE LEXUARAT