Politika

Nesër takimi i SEECP, Mogherini dhe ministrat e Jashtëm të 13 vendeve vizitojnë Tiranën

BushatiTakimi informal i Ministrave të Punëve të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet nesër në Tiranë në kuadër të Presidencës Shqiptare të SEECP, sjell në Shqipëri përfaqësues nga 13 vendet pjesëmarrëse të SEECP, përfaqësues të Bashkimit Europian, përfaqësues të Presidencës Letoneze të BE dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Kështu në Shqipëri do të mbërrijë sot Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Shefja e politikës së jashtme të BE e konfirmoi zyrtarisht vizitën në Tiranë përmes një letre drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Përmes letrës Mogherini thotë se, BE mbështet plotësisht nismat për të forcuar bashkëpunimin rajonal të cilin e vlerëson si një mjet të rëndësishëm për të kapërcyer ndarjet e të kaluarës dhe për të bërë reformat e kërkuara.

Gjithashtu në Shqipëri, në kuadër të Presidencës Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP),do të mbërijë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusouglu, i cili do të zhvillojë një takim me Ministri Bushati në orën 19:00.

Gjithashtu në Shqipëri do të mbërijë edhe Zv. Ministri i Jashtëm për Çështje Evropiane i Greqisë, Nikos Hundis (Nikolaos Chountis), i cili do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh me krerë të shtetit shqiptar. Më konkretisht, të hënën Hundis do të takohet me Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta (17:30), me kreun e opozitës dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha (18:00). Ndërsa të hënën Hundis do të zhvillojë takime me Ministren e Integrimit Europian të Shqipërisë, Klajda Gjosha (16:00) dhe me Hiresinë e tij Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z.Anastas (17:30).

Pjesëmarrjen në takimin e SEECP e ka konfirmuar edhe Igor Lukshiq, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Malit të Zi, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Poposki, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane i Moldavisë, Iulian Groza, etj.

Gjatë pasdites së sotme, do të ketë një pritje të organizuar nga Ministri i Punëve të Jashtme Bushati, e cila është informale për t’u uruar mirëseardhjen delegacioneve.

Ndërsa të martën do të zhvillohet takimi informal i Ministrave të Punëve të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse. Takimi do të përshëndetet dhe nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Në takim do të diskutohen situata në rajon, zhvillimet politike të vendeve të rajonit, prioritetet e Kryesisë Shqiptare, aktivitetet e zhvilluara dhe ato në vazhdim, niveli i bashkëpunimit rajonal, hapat e ndërmarra në procesin e integrimit në strukturat Euroatlantike etj.

Kryesia shqiptare e SEECP-së përbën një angazhim të rëndësishëm politiko-diplomatik, në funksion të promovimit të mëtejshëm të rolit e të politikës së vendit tonë në rajon e më gjerë.

 

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close