Ngrihet akuza ndaj shqiptarit që luftoi me Al-Nusra në Siri

Kosovë&Rajon

siriProkuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Alban Mavraj, për kryerjen e veprës penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, nga neni 143 par.2 i Kodit Penal të Kosovës.

Sipas një njoftimi, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Mavraj nga data 4 shtator 2013 deri më 27 tetor 2013 iu kishte bashkuar për të luftuar grupit terrorist në Siri, të quajtur “Jahbat Al Nusra”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“I pandehuri Mavraj ka tentuar edhe dy herë tjera për të shkuar në Siri dhe atë më 05 prill të viti 2014, pastaj sërish më 27 korrik 2014, kishte tentuar që përmes Turqisë të shkoj në Siri. Pas informacioneve që kishte marrë Policia e Kosovës, i njëjti është arrestuar në Prishtinë, më 27 korrik 2014”, thuhet në njoftim.

Gjatë hetimeve prokurori i rastit, nga Prokuroria Speciale, ka mbledhur prova që vërtetojnë ekzistimin e fakteve që i pandehuri në fjalë ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Është vërtetuar qartë se i pandehuri kishte qenë pjesëmarrës i luftës në Siri, këtë e ka pranuar edhe vetë ai në dy deklaratat e tij, të dhëna në polici dhe para prokurorit. Ka pranuar se ishte stërvitur me armë të ndryshme atje dhe se ka tentuar edhe disa herë të tjera të shkonte në Siri”, shtohet më tej.

Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurin, për veprën penale që akuzohet, ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë sipas ligjit.

ME TE LEXUARAT