Kryeministri Rama në ujësjellësin e Gruemirës

Politikë

rama-permbytjetMijra banorë nga Malësia e Madhe deri në Komunën Rrethina arrijnë të furnizohen me ujë në 24 orë pas një investimi të qeverisë shqiptare. Në Gruemirë ujësjellësi është rindërtuar, dhe kapaciteti i tij është 8 fishuar nga një ndërtesë jashtë çdo standardi e ndotur dhe që e mbulonin ferrat. Drejtori i Ujësjellësit të Gruemirës Flaurs Shoshi, që është drejtues prej 9 vitesh në këtë ndërmarrje, informoi se me ndërhyrjet e bëra, situata e furnizimi me ujë të pijshëm është përmirësuar ndjeshëm, edhe për komunat që për vite të tëra vuanin mungesën e ujit, përfshirë këtu edhe zonën turistike të Velipojës. Sasia e ujit me të cilën furnizohen banorët është tetëfishuar. “Më parë, nga 4 mijë metra kub që ka pasur kapacitetin e plotë furnizimi shkonte deri në 500 metër kub dhe me ujë furnizohej vetëm zona poshtë, 2 mijë banorë. Ndërsa aktualisht me kapacitete e sotme furnizohen 20 mijë banorë. Kemi furnizuar gjithashtu edhe një pjesë të komunës Rrethinaj, e cila ka 32 mijë banorë, pra tetëfishohet sasia e ujit”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama e vlerësoi investimin si një vepër shumë të rëndësishme dhe strategjike për këtë zone. “Më në fund pas 40 vjetësh, pa asnjë investim në këtë rrënojë që praktikisht i ka penguar 1/3 e banorëve të Malësisë së Madhe që të kenë ujë të pijshëm, ne mund të ndërhynim. Dhe, ne kemi ndërhyrë, duke bërë që sot situata të jetë komplet e përmbysur dhe ne t’ia dalim që sot jo vetëm të çojmë ujë në shtëpitë e gjithë banorëve të kësaj zone që deri dje vuante për ujë, por t’ia dalim edhe që të themi pa merak se në sezonin turistik që nis Velipoja, që kurrë s’e ka menduar se do të vinte kjo ditë, të ketë furnizim të plotë me ujë të pijshëm.”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kryeministri theksoi se për të realizuar vepra të tilla, në shërbim të qytetarëve është shumë e rëndësishme që të forcohet marrëdhënia mes qeverisë dhe pushtetit vendor. “Këto janë hapat e duhur në drejtimin e duhur dhe për këtë arsye besoj se është me fort rëndësi që të forcojmë marrëdhënien qeveri dhe pushtet vendor, se tashmë bashkitë e mëdha janë realisht realitete tërësisht ndryshe dhe kanë nevojë për këtë marrëdhënie. Ndërkohë, të ecim përpara në drejtimin e duhur dhe që padyshim, njerëzit e Malësisë së Madhe, njerëzit e Shkodrës, njerëzit e këtij qarku duhet të na japim një ndihmë, duke vendosur në krye të punëve kandidatët tanë, duke vendosur në krye të punëve njerëzit që i kemi zgjedhur jo për të bërë politikë, por për të menaxhuar një sfidë kolosale si kjo e jetësimit të reformës administrativo-territoriale, ku shërbimi me ujë është një pjesë shumë e rëndësishme strategjike, që ka munguar për kaq shumë vite, qoftë shërbimi me ujë, qoftë shërbimi me ujë për tokat e bukës, që ende sot presin një administrim të përgjegjshëm në nivelin vendor.”

Kryeministri bëri të ditur se reforma për sistemin e ujit e hartuar me ekspertizën me të më vendase dhe të huaj është drejt përfundimit dhe së shpejti do të bëhet realitet. “Reforma e përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, me një ekspertizë ndërkombëtare dhe me ekspertizën më të mirë të vendit, për sistemin e ujit është pothuajse në përfundim, pas një pune intensive gjatë gjithë 18 muajve të parë të qeverisjes dhe tani na duhet që ta kalojmë në realitet. Besoj se shembulli i kësaj drejtorie ujësjellësi dhe i këtij menaxheri absolut që kemi këtu, sëbashku me shembullin e koordinimit mes deputetit, ministrisë dhe qeverisë, ka sjellë që të kemi një model suksesi që ta shpërndajmë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe të gjithë të shohin se uji 24 orë në 24, çka është një zotim i yni, jo vetëm është i mundur, por po fillon të bëhet realitet në një kohë shumë të shkurtër, në një zonë të vështirë dhe të vazhdojë të bëhet realitet zonë pas zone, derisa të zgjidhet ky problem një herë e mirë në gjithë Shqipërinë. Çfarë duhet kur je në një zonë si kjo, ku burimet janë atje, uji rrjedh poshtë dhe fatkeqësisht, prej 20 e kusur vitesh njerëzit nuk e prekin dot. Duhet vetëm vizion dhe vullnet në menaxhimin e këtyre burimeve. Ky besoj është ndryshimi i madh që ka ndodhur në qeverisjen tonë dhe vizioni dhe vullneti që nuk na mungon, do të vazhdojë të na japë rezultate si ky rezultat që kemi sot këtu.”

ME TE LEXUARAT