Haxhinasto në takimin e korridoreve Evropiane të transportit TEN-T në Riga

Aktualitet

haxhinastoMinistri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e Ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor në Riga, organizuar nga znj. Violeta Bulc, Komisionere për Transportin dhe z. Jean Eric Paquet, Drejtor për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, gjatë zhvillimit të aktiviteteve për korridoret Evropiane të Transportit TEN-T.

Ministri Haxhinasto informoi të pranishmit, se hapi i parë konkret në zbatimin e rrjetit bazë të dakordësuar midis palëve, në kuadër të proçesit të Berlinit, është krijimi i grupit teknik me Malin e Zi, për të përgatitur aplikimin për studim fizibilitetit për projektin e Autostradës Adriatiko-Ioniane, pranë institucioneve financiare në BE, i cili do të mblidhet në Tiranë javës që vjen.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ai gjithashtu informoi për angazhimin në plotësimin e studimeve dhe programimin e investimeve për Korridorin Veri-Jug, pjesë e kësaj autostrade. "Dëshiroj t’ju informoj se kemi punuar në terma konkrete në lidhje përfundimin e të gjitha studimeve për segmentet e Korridorit Adriatiko – Jonian,  të tilla si Thumanë – Vora, By-pass i Tepelenës,  apo  lidhja Tiranë – Durrës. Sa i takon punimeve kemi pasur  progres  konkret, sa i takon zbatimit të By-passit të Rrogozhinës, atij të Fierit dhe shumë segmente të tjerë pjesë e këtij Korridori":- tha ai.

Pjese e rëndësishme e proçesit është edhe hekurudha, për të cilën Ministri Haxhinasto deklaroi se qeveria shqiptare është duke i kushtuar shumë vëmendje, nëpërmjet studimit dhe projektimit për lidhjen Tiranë – Durrës dhe me Aeroportin e Rinasit, si dhe për projektin e fizibilitetit për të gjithë rrjetin hekurudhor shqiptar, duke përfshirë edhe lidhjet me fqinjët. Duke falenderuar edhe Komisionin për mbështetjen e dhënë, ai deklaroi aprovimin e financimit të studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore të Korridorit VIII-të, rehabilitimin e segmentit Durrës-Lin-Pogradec, si dhe ndërtimin e linjës së re Lin- Kufiri me Maqedoninë.

Pjese e temave te diskutimit ishin edhe barrierat jo-fizike, të cilat kanë rezultuar me kosto jashtëzakonisht të lartë, në një studim të fundit të Bankes  Boterore, për të cilat Ministri u shpreh se mund të bëhet shumë më tepër, për lehtësimin e kalimeve kufitare.

Duke folur për masa të tjera, Ministri Haxhinasto deklaroi:- “Mbështes shumë idenë se duhet të bëjmë më shumë për qëndrueshmërinë në sistemet e transportit, ku sapo kemi konkluduar një marrëveshje me Bankën Botërore, për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar me financim rreth 130 milionë USD për 5 vitet e ardhshme, e cila do të na ofrojë shërbime shumë më cilësore në rrugët tona kombëtare.” Ai theksoi, se siguria rrugore është prioritet për sektorin e transportit rrugor shqiptar dhe se ky komponent duhet parë më seriozisht në të ardhmen. “Rezultati që kemi pasur është 25% më pak aksidente në 2 vitet e fundit, i arritur nëpërmjet investimeve në sinjalistikë, të cilat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”- tha ai.

ME TE LEXUARAT