Kuvendi i Kosovës kërkon lirimin e Ramush Haradinajt

Kosovë&Rajon

Kuvendi i Kosovës sot po zhvillon një seancë të jashtëzakonshme për ndalimin e ish kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë, si shkas i një flet arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Deputetë dhe drejtues të Qeverisë së Kosovës në këtë debat i cili herpasherë është zhvilluar edhe në terr për mungesë të energjisë, është kërkuar nga autoritetet e Francës që për rastin Haradinaj të mos përfillë fletarrestin nga Serbia, meqë është i paligjshëm.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha para deputetëve se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që fletarrestet serbe për qytetarët e Kosovës janë plotësisht të paligjshme, janë të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike. Ai tha se tutje se të gjitha dikasteret kompetent të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim për të liruar sa më shpejt Ramush Haradinajn.

“Qeveria e Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se flet arrestet serbe për qytetarët e Kosovës janë plotësisht të pa ligjshme, janë të pa drejta, dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike, konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon dhe më gjerë. Po ashtu dëshiroj t’ju informoj se me të kuptuar lajmin për ndalimin e Haradinajt, të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim dhe janë angazhuar me përkushtim të plotë për të kontribuar në çdo formë në lirimin e sa më të shpejt të Haradinajt në mënyrë që ai sa më shpejt të kthehet në Kosovë, dhe të zhvilloj aktivitet e tij si kryeyar i AAK-së dhe si lider i rëndësishëm politik i vendit. Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë transmetuar tek autoritetet e shtetit francez, se flet arrestet e Serbisë janë të paligjshme për qytetarët e Kosovës, se juridiksioni i Serbisë mbi qytetarët e Kosovës ka p ushuar zyrtarisht në qershor të vitit ’99... Dhe nuk shohim as një arsye që Haradinaj të mbahet edhe më tutje në Francë me flet arrest të pa ligjshëm dhe të motivuar kryesisht mbi baza politike nga Serbia”, tha Mustafa.

Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se si grup parlamentar mbesin të shqetësuar për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë. Ai kërkoi nga të gjitha institucionet që ta kanalizojnë sa më drejt që është e mundur procesin ndaj Haradinajt, dhe një herësh, sipas tij, nuk duhet prishur raportet me Francën.

“Dua që sot po ashtu të adresoj edhe një përgjegjësi tjetër që mund të keqkuptohet sot këtu ne duhet ta falënderojmë pikë se pari shtetin e Francës për gjithë atë mbështetje që e ka bërë dhe e bënë për Kosovën, për shtetin e Kosovës dhe jam i sigurt dhe do të apelojmë bashkë me institucionet tona do të shohim brenda ligjit dhe konventave ndërkombëtare që shteti i Francës ta trajtojë sa më shpejt që është e mundur me favor të lirimit të Haradinaj, por adresimi jonë kryesorë ose shqetësimi jonë kryesorë është jo me Francën, me shtetin e Francës por pikë së pari me institucionet e Serbisë me qeverinë Serbe, me krejt atë përpjeke që po e bënë vetë Beogradi për të ndaluar për ta dëmtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Pajaziti.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se LDK shprehë shqetësimin e saj me rastin ndalimit të padrejtë të Haradinajt nga autoritetet franceze. Ai tha se Serbia duhet kuptuar se Kosova është shtet.

Beqiri beson shumë se organet e drejtësisë së Francës do të marrin shpejt vendimin e drejt ndaj Haradinajt.

“Ne jemi të vetdishëm se shteti francez ka obligime të caktuara ndërkombëtare, por mendojmë se ndalimi Haradinajt në bazë të flet arrestit për ne politik të lëshuar nga Serbia, përkatësisht Interpoli, është një veprim që i ka shqetësuar institucionet tona shtetërore dhe qytetarët e Kosovës. Ne besojmë se Haradinaj do të kthehet shpejt në Kosovë . Ai tashmë dy herë ka dëshmuar pa fajësinë e tij para organeve të drejtësisë, kemi bindjen se edhe me këtë rast do të dëshmohet se kemi të bëjmë me një flet arrest të motivuar politikisht të pa bazuar dhe të pa argumentuar”, tha Beqiri.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, nisi debatin me konstatimin se arrestimi i Haradinajt është rezultat i negociatave jo parimore në mes të Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohen në Bruksel. Ai kërkoi që kreu i AAK-së të lirohet sa më parë dhe të jetë pran familjes së tij.

“Edhe 18-vjet pas shkëputjes së Kosovës nga kthetrat e Serbisë koloniale, Serbia nuk po heq dorë jo vetëm nga shtypja e shqiptarëve brenda kufijve të saj, por po i keqtrajton e po ju sjell probleme shqiptarëve ku do që po mundet, siç ka ndodhur këto ditë edhe me arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhër arrest të pa bazë të Serbisë... kjo nuk do të thotë se me Serbinë nuk duhet të negociohet, por kjo do të thotë se me Serbinë si edhe me cdo kënd tjetër para se të hyhet në negociata, duhet të përcaktohen parimet e qarta nga palët dialoguese”, tha Kurteshi.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj që njëherit ishte edhe iniciues i debatit, tha institucionet e Kosovës në vend të sigurisë për ish-ushtarët e UÇK-së, ua kanë sjellë edhe një gjykatë më speciale si dhuratë. Andaj, ai beson se ish kryeministri Haradinaj të lirohet sa më parë dhe të mos bie pre provokimeve Kosova nga Serbia me flet arreste.

“Ne ende po presim dhe dëshirojmë të besojmë që ish kryeministri Ramush Haradinaj që pikërisht për hir të shpërfaqjes së luftës së drejtë të UÇK-së kishte lënë pozitën që sot mban një njeri krejtësisht i pa devotshëm, të lirohet dhe t’i mundësohet vazhdimi i agjendës së tij si lider politik i Kosovës... Në fakt, ju në vend të sigurisë se nuk do t’i prek askush, ua keni sjellë një gjykatë shumë më speciale si dhuratë për çka kanë hjekur e vuajtur çlirimtarët që të kemi shtet të fort e drejtësi tonën për lakmi nga të tjerët. Qeveria e Kosovës, jo vetëm kjo sot, por edhe ajo dje ose që nga shpallja e pavarësisë keni punuar aq dobët për vendin tonë e tuajin sa sot po shihet se gati nuk po i blof shtetet që kanë përkrahur Kosovën siç është edhe ky rasti i fundit, kur tani Franca duhet të përcaktohet nëse ka pasur të drejtë ku ka ma pjesë në bombardimet që NATO i ka bërë Serbisë për të ndaluar gjenocidin e saj ndaj popullit shqiptarë apo sot që po i zbaton disa flet arreste kryekëput etnike, politike të lëshuara nga Serbia ndaj ish komandantëve dhe të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Lekaj.

Ndërsa, shefja e deputetëve të Nismës Valdete Bajrami tha se tashmë është momenti që Kosova të ketë një Qeveri përgjegjëse që të mos bëjë asnjë hap tutje në drejtim me dialogun me Serbinë, derisa ajo nuk pranon të bëjë pastrimin e listave.

“Nisma për Kosovën kërkon që sa më parë të lirohet Haradinaj dhe t’i bashkohet familjes dhe po ashtu kërkojmë nga ju që ti bëni detyrat ashtu siç ju obligon kushtetuta e vendit ose të shkoni në shtëpi se definitivisht kështu nuk po duroheni më, nuk po ngel ditë dhe muaj pa protesta, nuk po ka asnjë ditë ku mund të krenohemi me ndonjë rezultat nga kjo qeveri pos dështimeve të njëpasnjëshme, dështime për vendin dhe për qytetarët kuptohet sepse për juve ju jeni kujdes shumë që ti krijoni kushtet sa më të mira për ju. Prandaj, NISMA edhe njëherë kërkon që sa më parë të bëhen hapat adekuat që z.Haradinaj të i bashkohet familjes”, tha Bajrami.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka treguar para deputetëve angazhimin e këtij dikasteri me autoritetet franceze për lirimin e Haradinajt nga Franca. Hoxhaj, tregoi se ka pasur një telefonatë të gjatë me homologun e tij francez, i cili tha se ministri i Jashtëm Francës ka njohuri të madhe për figurën e Haradinajt.

“Haradinaj jam shumë i sigurt që do të kthehet në Kosovë, ne do të punojmë 15 orë në ditë që ai të kthehet sa më shpejt. Unë kam bërë kërkesë urgjente për një viztë zyrtare në Francë dhe temë e vetme është kthimi sa më shpejt i Haradinajt, sikurse ne gjatë ditëve të ardhshme do ta ndërtojmë një qasje të plotë se si t’i qasemi Interpolit dhe si flet arrestet e tilla të jenë këto të fundit”, tha Hoxhaj.

Debati në seancën për kryetarin AAK-së, Ramush Haradinaj është duke u zhvilluar edhe më tej me deputetë tjerë, të cilët po kërkojnë kthimin e Haradinajt në Kosovë dhe të mos ndodhë ekstradimi në Serbi me fletarrest të atij shteti.

ME TE LEXUARAT