Kuvend, Rama-opozitës: E latë sektorin e energjisë në rrokopujë

Aktualitet

rama-kuvendKryeministri Edi Rama u shpreh sot ne Kuvend teksa po diskutohet projektligji për energjinë, se opozita është ajo që e la këtë sektor në një rrokopujë.

“Është momenti i duhur për të folur me shifra dhe fakte për gjendjen e trashëguar të sektorit dhe për pritshmëritë e tij. Faktikisht është spektakolare të dëgjosh sesi përgjegjësit për gjendjen e trashëguar të sektorit të energjisë kanë kurajon të flasin njësoj sikur vrojtojnë nga kullat e plazheve horizontin dhe jo si ata që deri 18 muaj më parë kanë pasur në dorë t’i bënin gjërat siç thonë sot dhe jo vetëm si kanë bërë, por e kanë lënë sektorin në një rrokopujë”, tha kryeministri Rama.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Qeveria e la KESH-in me 540 milionë dollarë borxhe. Linja e interkonjeksionit me Kosovën u bllokua për arsye të errëta. Rreth 1.3 miliardë dollarë ishte niveli i faturave të pambledhura të energjisë, ndërkohë që humbjet në rrjet arritën shifrën rekord prej 51 për qind. Kjo ishte gjendja e trashëguar”, tha Rama.

Ndërsa situata e ndryshuar sipas tij është kjo: “Në këto muaj kemi reduktuar humbjet duke i çuar në një nivel prej 31%. Duke pasur stabilitet në sektor, ne kemi besimin se do të shkojmë nën 30 për qind. Ndërkohë, nivelin e arkëtimeve e kemi rritur me 100 milionë dollarë. Në 15 muaj kemi kaluar 300 mijë aktmarrëveshje me kreditorët, që këta i lanë rrugëve. Vlera e këtyre aktmarrëveshjeve është 505 miliardë lekë, ose 505 milionë dollarë. Ndërkohë, është shlyer 70% e borxheve ndaj prodhuesve të vegjël”, nënvizoi  Rama.

Duke vijuar raportimin e tij, shefi i qeverisë ka bërë të ditur se në vitet e fundit KESH ka blerë 50.59 euro më lirë energjinë, ndërsa e ka shitur atë më shtrenjtë. Ndërsa investimet e realizuara gjatë vitit 2014 kanë mundësuar sipas tij që të futen në përdorim 12 HEC-e, ndërkohë që 5 të tjerë pritet të futen në funksion gjatë vitit 2015.

“Këto ndryshime dhe mbështetja e ndërkombëtarëve për ndërhyrje në këtë sektor janë rezultat i reformës sonë”, shtoi Rama.

ME TE LEXUARAT