Detaji i frikshëm, autori i vrasjes në Shkodër doli me leje nga burgu i Peqinit
Policia e Shkodrës, në një njoftim për mediat, thekson se ka mundur të zbardhë ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme ku u vra me armë zjarri 35-vjeçari Angjelin Shkami.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është 27-vjeçari me iniciale A.K, dhe motivi i ngjarjes dyshohet se është një borxh që autori i ka pasur viktimës.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Autori i vrasjes kishte qenë me leje shpërblimi nga burgu i Peqinit, ku ai vuante dënimin për një vjedhje me armë të ndodhur në vitin 2013.
Por si ka ndodhur ngjarja sipas policine:
A. K., 27 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër, i cili ka qenë me leje shpërblimi nga burgu i Peqinit, ku vuan dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti për shkak të një borxhi që autori i dyshuar A. K., i ka patur viktimës A. Sh.
Autori ka pas një komunikim me telefon me viktimën dhe janë takuar tek varrezat e Stom Golemit, ku shtetasi A. K. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A. Sh. i cili ndodhej në automjetin e tij, ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Po punohet intensivisht për përcaktimin e vendodhjes dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Vrasje me paramendim “ e “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".