Detaje tronditese, autori i 11 vrasjeve ne Gjermani kishte leje per te mbajur armen

Aktualitet
Detaje tronditese, autori i 11 vrasjeve ne Gjermani kishte leje per te mbajur

11 te vrare ne shisha-bar, policia gjermane gjen letren dhe videon qe la autori ekstremist

Një krim brutal në qytetin Hanau, jo larg, Frankfurtit. Njoftohet për 11 vetë të vdekur, mes tyre edhe autori i dyshuar i vrasjes. Ka të dhëna për motive ekstremiste të djathta të vrasjeve.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas zjarrit të hapur në dy shisha-bars në qytetin e Hanaut në Gjermani, sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, janë gjetur edhe një letër dhe video e autorit të dyshuar të vrasjeve, që janë duke u vlerësuar. Hetimet i ka marrë ndërkohë përsipër Prokuroria e Përgjithshme gjermane. Sipas informacioneve të dpa-së, ka të dhëna për motivin e urrejtjes ndaj të huajve.

Gjithsej në Hanau humbën jeten 11 vetë, katër vetë janë plagosur. Edhe gazeta “Bild” shkruan, se autori i dyshuar ka vepruar me motiv ekstremist të djathtë. Tek autori i vrasjeve bëhet fjalë për një gjerman që ka pasur të drejtën e armës për gjueti. Në automjetin e tij është gjetur edhe municion luftarak, raporton “Bild” bazuar në qarqet e policisë.

Sipas njoftimeve të radios së landit Hesen, fillimisht u sulmua një shisha-bar në qytetin e Hanaut. Dëshmitarë okularë kanë thënë, se ka pasur disa të shtëna, pastaj autori apo autorët janë larguar me automjet.

Në lagjen Kesselstadt është qëlluar sërish në një shisha-bar tjetër. Edhe këtu ka pasur disa viktima. Të enjten në mëngjes, policia bëri të ditur, se ka gjetur kufomën e autorit të dyshuar në apartamentin e tij në qytetin Hanau. Aty forcat speciale gjetën edhe një person tjetër të vdekur. Bashkë me të numri i të vdekurve arrin në 11 vetë.

Tronditje në Gjermani

Kreu i bashkisë së Hanaut, Claus Kaminsky, CDU u shpreh i tronditur për dhunën në qytetin e tij. “Kjo ishte një natë e tmerrshme që do na preokupojë gjatë dhe do të qëndrojë gjatë si një kujtim pikëllues.” Kreu i bashkisë porositi që shkollat dhe disa kopshte në Hanau të mbeteshin të mbyllura ditën e enjte.

Edhe deputetja e Bundestagut e zonës zgjedhore të Hanaut, Katja Leikert, CDU u shpreh e tronditur e bëri fjalë për një “skenar tmerri”. “Në këtë natë të tmerrshme, u dëshiroj familjeve të viktimave shumë forcë për të përballuar dhimbjen dhe shpreh ngushëllimin e thellë.”

Qeveria gjermane reagoi e tronditur pas dhunës në Hanau. “Mendimet tona janë këtë mëngjes tek njerëzit në Hanau, në qendër të të cilit u krye një krim i tmerrshëm”, shkroi zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në twitter. “Ngushëllimet tona për familjet e prekura që vajtojnë për të afërmit e humbur”, shkruan Seibert.

I tronditur u shpreh edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel. “Humbja e pakuptimtë e jetëve të njerëzve është një tragjedi, pavarësisht ku ndodh ajo”, shkroi ai në twitter- “Pas sulmit të tmerrshëm jemi me mendje tek njerëzit në Hanau.”/DW

ME TE LEXUARAT