Lajme

Franca apo Argjentina, përballje gjigantësh

Franca dhe Argjentina do të përballen në 1/8-at e Kupës së Botës në “Kazan Arena” sot me fillim prej orës 16:00.

Pasi fituan dy ndeshjet e para të grupit me një gol diferencë, Franca e ka mbyllur ndeshjen e fundit, të luajtur kundër Danimarkës, me një barazim 0-0 pasi kishte siguruar kualifikimin.

Ai barazim ka qenë ndeshja e shtatë e “Les Blues” pa pësuar humbje (5 fitore, 2 barazime). Në fakt, ecuria e skuadrës së Deschamps ka qenë shumë e mirë, me vetëm 1 humbje të pësuar në 15 ndeshjet e fundit. Ata kanë pësuar 12 gola në ato takime dhe asnjë në shtatë prej tyre.

Argjentina, nga ana tjetër, nuk e ka patur të lehtë kalimin e grupit. Messi-t me shokë i është dashur një gol në minutën e 86-të të ndeshjes së fundit të Grupit D, të luajtur kundër Nigerisë, për të siguruar një vend në 1/8-at. Problemet e shumta të bardhekaltërve kanë qenë një tregues i qartë i formës aspak të mirë të treguar në shtatë ndeshjet e fundit (3 fitore, 1 barazim, 3 humbje), në të cilat kanë pësuar 15 gola.

Pavarësisht historisë së pasur të këtyre dy kombëtareve, ato janë përballur në Kupën e Botës vetëm dy herë, me Argjentinën që i ka fituar të dy takimet (1930, 1978). Në total, këto dy përfaqësuese janë ndeshur 10 herë, me argjentinasit që kanë regjistruar gjashtë fitore, ndërsa francezët vetëm 1.

Tre takimet e tjerë janë mbyllur në barazim 0-0. Lionel Messi dhe Antoine Griezmann janë dy lojtarët që mund të vendosin këtë sfidë. I pari i ka dhënë fund ecurisë prej 662 minutash pa gol në Kupën e Botës në ndeshjen kundër Nigerisë dhe do të kërkojë të vazhdojë në këtë rrugë pasditen e së shtunës. I dyti ka shënuar vetëm një gol në këtë Botëror, shumë pak për një sulmues të kalibrit të tij.

Shifra dhe Fakte

– Të dy ekipet nuk kanë humbur asnjë nga pjesët e para të ndeshjeve që kanë luajtur deri tani në këtë Kupë të Botës.

– Franca nuk ka humbur kurrë ndeshjen e katërt të Kupës së Botës (gjashtë ndeshje).

– Në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të Francës në Kupën e Botës, vetëm një skuadër ka arritur të shënojë.

– Pesë fitoret e fundit të Argjentinës (në 90 minuta) në Kupën e Botës kanë qenë me një gol diferencë.

– Në vetëm dy nga dhjetë ndeshjet e luajtura mes këtyre dy ekipeve, të dy skuadra kanë shënuar

loading...

Artikuj te ngjashem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close