SHBA, Grenell: Nuk e perkrahim heqjen gjysmake te takses nga Albin Kurti

Kosovë&Rajon
SHBA, Grenell: Nuk e perkrahim heqjen gjysmake te takses nga Albin Kurti

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten mbrëma se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin masat gjysmake të kryeministrit Albin Kurti.

“Qëndrimi ynë është i qartë; tarifat duhet të hiqen tërësisht. Zoti Kurti po bën gabim të rëndë dhe kjo i është bërë e qartë presidentit (Hashim) Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi ambasadori Grenell në rrjetin twitter.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ambasadori Grenell reagoi pak orë pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “gjatë javës së ardhshme, qeveria e Kosovës merr vendim që nga data 15 mars e këtij viti të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të zotohet se do t’i jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të fillojë heqjen e barrierave tregtare jo tarifore ndaj Kosovës.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë me fillim nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heq tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja.

Më tej kryeministri Kurti tha se “Bashkimi Evropian do ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për të hequr tarifën prej 100 për qind dhe në shkëmbim do t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020”.

Ai tërhoqi vërejtjen që në rast se “Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill fillon zbatimin e gradual të parimit të reciprocitetit, fillimisht në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike”.

Kryeministri Kurti tha që “në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor e rikthen tarifën për importet nga Serbia”.

LDK: Nuk kishim pajtim me zotin Kurti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdulah Hoti, tha të enjten mbrëma në një intervistë me televizionin T7 se “qëndrimi i zotit Kurti nuk është bashkërenduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës” që është partner i koalicionit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë në mbledhjen e qeverisë propozimin e sotëm të zoti Kurti për heqjen e tarifave”, tha ai.

Më herët gjatë ditës ai shkroi në rrjetet sociale se “tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pakapërcyeshme për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE. Çdo shtyrje për heqjen e tarifës komprometon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin. Asnjë masë e jona e njëanshme nuk mund të mbroj apo avancoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut. Çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit”, shkroi ai.

Reagime të opozitës

I menjëhershëm ishte reagimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e quajti “mashtrues” kryeministrin Kurti, i cili sipas rij “u dorëzua para Serbisë”. Në një postim në rrjetin facebook, ai shkroi se “ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”, shkroi ai.

“Asgjë e re nga Albini” shkroi ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar. Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët. E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”, shkroi zoti Veseli.

Vendimi i kryeministrit Kurti, pasoi një periudhë trysnie për heqjen e tarifave që u vendosën në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e ish kryeministrit Haradinaj, për t’ju kundërvënë fushatës serbë kundër shtetësisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara shtuan trysninë ndaj zotit Kurti që nga themelimi i qeverisë së tij më 6 shkurt për heqjen e tarifave, ndërsa njëkohësisht i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës./zeri i amerikes

ME TE LEXUARAT