E FUNDIT/ Drejtuesi i Prokurorisë kalon me sukses Vettingun

Aktualitet

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Artan Shtrungza ka kaluar me sukses Vetingun. Shtrungza ka rezultuar i pastër në të treja kriteret e vlerësimit që janë pasuria, pastërtia figurës dhe aftësitë profesionale.

Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK përbëhej nga Etleda Çiftja kryesuese, Genta Tafa (Bungo) relatore dhe Pamela Qirko anëtare, ndërsa në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Shtrungza e ka nisur karrierën e tij në vitin 2004 si Oficer i Policisë Gjyqësore ndërkohë që në vitin 2010 ai është promovuar si prokuror po në të njëjtin rreth gjyqësor. Që nga viti 2012, Shtrungza ka mbajtur për periudha të ndryshme pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Tropojës.

Çfarë u konstatua në seancën dëgjimore në KPK

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Relatorja e çështjes, Genta Tafa (Bungo) u shpreh se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, e ka vlerësuar pozitivisht prokurorin Artan Shtrungza lidhur me kriterin e pasurisë. Më pas ajo renditi disa gjetje të komisionit për këtë kriter.

Lidhur me deklarimin e një banese një katëshe me sipërfaqe 108 m2 të ndërtuar para vitit 1990, në fshatin Cërnicë të Tropojës – të trashëguar nga prindërit, komisioni ka konstatuar se prokurori Shtrungza nuk ka dorëzuar asnjë dokument pronësie. Sipas relatores, ai ka dorëzuar një vërtetim nga kryesia e fshatit, se banesa është e paregjistruar për shkak të djegies së dokumenteve gjatë trazirave në vitin 1997. Ndërsa për rikonstruksionet e kryera në vitin 2008, 2011 dhe 2012, relatorja Bungo pohoi se për shkak të mos dorëzimit të dokumenteve nga ana e subjektit, pasqyrimi i këtyre investimeve ka mbetur deklarativ. Prokurori Shtrungza ka deklaruar se ka rënë dakord me xhaxhain për blerjen e shtëpisë së tij pranë asaj ku banon, kur të regjistrohet në hipotekë.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e automjetit tip Benz në shumën e 300 mijë lekëve dhe gjendjes cash në vlerën 200 mijë lekëve, për të cilat është konsideruar se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme. Edhe në kontratën e kredisë me afat pesë-vjeçar në shumën e 1 milionë lekëve të marrë në vitin 2013 për rikonstruksionin e shtëpisë, nuk u evidentuan problematika.

Ndërkohë, komisioni ka evidentuar dy transferta nga 10 mijë lekë secila të kryera për llogari të prokurorit Shtrungza nga shtetasi A.N.. Sipas relatores Bungo, në analizën financiare të vitit 2016, janë gjetur mungesa të ardhurash për shpenzimet e kryera në shumën e 160 mijë lekëve.

KPK ka gjetur të saktë konstatimet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, për përshtatshmërinë e prokurorit Artan Shtrungza për vazhdimin e detyrës, pasi nuk janë identifikuar kontakte të papërshtatshme.

Megjithatë, komisioni ka konstatuar probleme në aspektin profesional, të cilat u pranuan edhe nga vetë prokurori Shtrungza. Sipas relatores Bungo, nga tetë dosjet e verifikuara është gjetur një rast kur duket se prokurori ka vendosur pushimin e hetimit në kundërshtim me ligjin për dhënie amnistie. Në dy raste është konstatuar se nuk ka marrë vendime për zgjatje të hetimeve dhe në një rast tjetër nuk ka argumentuar akuzën e ngritur.

Lidhur me gjetjet e komisionit për banesën e trashëguar nga prindërit, Shtrungza u shpreh gjatë seancës dëgjimore se regjistrimi i kësaj prone kishte qenë i pamundur për shkak të mosfunksionimit të institucioneve shtetërore. Ai pohoi se i kishte paraqitur komisionit foto të banesës para dhe pas kryerjes së rikonstruksioneve.

Për dy transfertat nga 10 mijë lekë të kryera në favor të tij nga A.N., prokurori Shtrungza shpjegoi se këto para ja kishte dhënë babait të personit në fjalë me kërkesë të tij dhe se më pas ai ja kishte kthyer në bankë.

Shtrungza pohoi se në vitin 2016 kishte pasur shpenzime familjare dhe se një pjesë e të ardhurave ishin fituar nga puna që kryente bashkëshortja e tij në kultivimin e perimeve dhe frutave.

Më pas ai pranoi gabimet në disa çështje që kishte hetuar, duke fajësuar mbingarkesën në punë për shkak se në atë periudhë kishte qenë i vetëm.

“Kam interpretuar gabim ligjin dhe udhëzimin e Prokurorisë së Përgjithshme për amnistinë për shkak të ngarkesës në punë, pasi kam qenë i vetëm në Tropojë me një oficer të Policisë Gjyqësore. Këto kanë ardhur si pasojë i ngarkesave të tepërta”, shpjegoi prokurori Shtrungza.

Në fund të seancës, kryesuesja e trupës gjykuese të KPK-së, Etleda Çiftja e pyeti prokurorin Shtrungza lidhur me një denoncim nga publiku për vonesë të hetimeve. Ai pohoi se bëhej fjalë për një çështje të transferuar nga Prokuroria e Kukësit për kompetencë dhe se ishin nevojitur të kryeheshin hetime të detajuara për të konkluduar. Prokurori Shtrungza pohoi se denoncuesja nuk kishte pasur ankesa dhe se dosjen e kishte deleguar sërish në Prokurorinë e Kukësit, pasi nuk ishte vërtetuar konflikti i interesit.

Pas pyetjes lidhur me numrin e prokurorëve që duhet të kishte prokuroria e Tropojës, ai shpjegoi se nevojiteshin tre, por se kishte qenë edhe vetëm dhe tani gjendeshin dy, pasi një tjetër ishte komanduar në një rreth tjetër.

Pas interesimit të vëzhgueses ndërkombëtare Elka Ermenkova për ngarkesën e punës, prokurori Shtrungza pohoi se për vitin 2018 kishte hetuar 218 çështje. Ai theksoi se prioritare ishin hetimet e veprave të rënda penale dhe evidentoi faktin se Policia Gjyqësore në Tropojë ka mungesa të theksuara të profesionistëve dhe se kryheshin transferime të shpeshta të tyre.

ME TE LEXUARAT