Shpëtim Idrizi: Rama t’i thërrasë arsyes

Kliko per me shume info

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që t’i thërrasë arsyes, e të kthehet drejt zgjidhjes politike, e të mos shkaktojë më kosto dramatike për vendin. Në një deklaratë për mediat nga selia e PDIU, Idrizi tha se situata politike aktuale është tepër e rrezikshme për vendin.

“Arsyeja është arratisur nga PS tek Rilindja, sot i bëj thirrje simpatizantëve e anëtarëve të PDIU-së dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, të bashkohemi në protestën për mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit”, tha Idrizi duke ftuar mbështetësit e PDIU në protestën e nesërme në orën 20:00 përpara Kryeministrisë.

Kliko per me shume info

Idrizi kishte një thirrje për qytetarët edhe sa i takon 75 vjetorit të gjenocidit dhe spastrimit etnik, mbi shqiptarët e Çamërisë.

Aktivitetet do të nisin në 22 qershor te Varrezat e Kllogjerit në Qafë Botë, në ora 18:00, për të përkujtuar e bërë homazh për të rënët.

Deklarata e plotë:

Mirdita e faleminderit për praninë tuaj!
Jam sot para jush për dy arsye kryesore.
Vendi po kalon sot një situatë dramatike.
Palët po shkojnë drejt një përplasje qytetare, që në këto kushte është kthyer në një betejë, për të mbrojtur fitoren tonë më të madhe të këtyre 30 viteve, pluralizimin dhe demokracinë.

Në asnjë moment nuk mund të harrojmë përpjekjen tonë 70-vjeçare, në mbrojtje të demokracisë.
Sot dua t’ju drejtohem edhe me një apel të veçantë. Ky 27 Qershor shënon gjithashtu, 75-vjetorin e Genocidit dhe spastrimit etnik, mbi shqiptarët e Çamërisë. Janë 75-vjet Genocid, 75 vite pa drejtësi.
Nuk ka komunitet të vogël apo të madh, ka komunitet që mundet nga padrejtësia, harresa, koha, vitet, e ky komunitet është i destinuar të pushojë së egzistuari, të asimilohet.

Ky nuk është rasti i shqiptarëve të Çamërisë që kanë, 75 vjet që mbajnë të gjallë kujtesën, kulturën, historinë, dhe që luftojnë çdo ditë e do të luftojnë, deri sa të egzistojë bota, e shqiptari i fundit i Çamërisë, për drejtësi e dinjitet. Ne nuk harrojmë! Gjej rastin ti bëj thirrje çdo shqiptari, e veçanërisht çdo shqiptari të Çamërisë, të na bashkohet në aktivitetet e Javës Çame, e cila do të nisë ditën e shtunë, më 22 Qershor, në Varrezat e Kllogjerit në Qafë Botë, në ora 18:00, për të përkujtuar e bërë homazh për të rënët, e për të mos i harruar kurrë, as NE, e as brezat që do vijnë.

Por sot PDIU është thellësisht e preokupuar për situatën politike, e cila është tejet e rrezikshme për Shqipërinë. Sot Rilindja po ecën qorrazi e pa arsye, duke e çuar vendin drejt kolapsit institucional dhe rrezikimit të pluralizmit politik. Pika më e ulët arriti sot, kur u propozua nisma absurde ligjore, për të ndaluar lëvizjen jashtë shtetit, të atyre që “rilindasit” do i konsiderojnë kundërshtarë politikë.
Me sa duket arsyeja ka ndalur së funksionuari!!!

Duhet ta kuptojë mirë cilido shqiptar, e veçanërisht iniciatorët e kësaj nisme, se lëvizjen e lirë të shqiptarëve, një nga fitoret më të mëdha të shqiptarëve pas pluralizmit e demokracisë, po e rrezikon sot, pikërisht keq-qeverisja aktuale, e cila po stërmbushet çdo ditë me skandale financiare, të ilegjitimitetit të pushtetit, krimit, korrupsionit, kanabizimit e varfërisë, që po mbillet përditë në shtëpitë e shqiptarëve.
Një pushtet i ardhur nga votat e vjedhura dhe bandat, siç po e tregojnë përgjimet e zbardhura të Rilindjes, sigurisht që sot do të shfaqet arrogant dhe dhunues ndaj qytetarëve të lirë të këtij vendi.
Por të jeni të sigurtë, që drejtësia do e gjejë rrugën e saj dhe pushteti në këtë vend, do të vijë vetëm nga vota e lirë e qytetarëve.

Në një vend ku të gjitha pushtetet kapen nga një njeri i vetëm, ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori, media, prokuroria, kur pushojnë së funksionuari Gjykatat, pushon së funksionuari Demokracia. Janë të gjitha këto arsye bashkë, se pse Edi Rama dhe Rilindja duhet ti thërrasin arsyes, e të kthehen drejt zgjidhjes politike, e të mos shkaktojnë më kosto dramatike për vendin.

Por meqënëse siç duket arsyeja është arratisur nga PS tek Rilindja, sot i bëj thirrje simpatizantëve e anëtarëve të PDIU-së dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, të bashkohemi në protestën për mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit, nesër në ora 20:00, të gjithë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here