Halit Krasniqi: Përgjimet në Maqedoninë e Veriut dhe rasti i Kumanovës!

Kosovë&Rajon

Shkruan Halit Krasniqi

Përgjimet në Maqedoninë e Veriut nuk do të kalojnë pa pasoja. Ato menjëherë kanë krijuar efektet e para. Dhe, natyrisht se ato do të kenë ndikime të shumë anshme. Qytetarët kanë zbuluar anën e pa njohur në publik të protagonistëve në përgjime. Shumë nga mbështetësit e tyre do të zhgënjehen nga specifikat e bisedave. Ato i përshkon një zhargon i pa dëshiruar nga të gjithë. Vetëm ata që nuk i kanë votuar e që mendojnë ndryshe, janë të kënaqur dhe do ta justifikojnë votën kundër tyre. Këtu hyjnë edhe kolaboracionistë të te gjitha kohëve. Ata nuk janë pak. Tani e kanë të lehtë justifikimin e votës së tyre me gjithfarë arsyetimesh, të cilët nuk preferojnë votën për ata që kanë devocion kauzën shqiptare, qofshin të uniformes kombëtare apo të mendësisë nacionale. Konfliktet e brendshme që kanë ekzistuar nga motive të ndryshme, që nga përplasjet e para pas kryengritjes së armatosur të shqiptarëve për të drejta e liri, tani do të fillojnë jo vetëm me kundërshtarët politikë, por edhe me elektoratin dhe në mes protagonistëve të përgjuar. Pasojat do të zhvillohen ashtu siç i ka paraparë autori i zbulimit të këtyre përgjimeve.

Adresa e këtyre përgjimeve dihet dhe në këtë nuk ka dilema. Po ku është adresa e këtyre zbulimeve. Kjo kureshtje i proukupon të gjithë shqiptarët. Ka adresë amerikane apo maqedonase. Ka adresë shqiptare apo ndërkombëtare. Ky fakt ka rëndësi të veçantë. Këto përgjime janë publikuar nga një adresë në shtetin më të adhuruar nga shqiptarët. Nga një emër i përveçëm, i cili nuk ka ndonjë pozitë në shtetin ku është mirëpritur. Ai nga autorët e përgjimeve, jo rastësisht është përzgjedhur pikërisht me këto karakteristika që posedon. Padyshim që nuk ka ndonjë relacion bashkëpunimi me autoritetet e pushteteve në Maqedoninë e Veriut.

Edhe ky fakt është vlerësuar me rëndësi për të pasur efekte të shumë anshme. A ka mundësi tekniko-teknologjike të bëj përgjime një person pa prirje në këtë fushë dhe pa mundësi të realizoj veprime të tilla, sikur personazhi i njohur i përgjimeve të autoriteteve amerikane. Natyrisht në asnjë mënyrë këto përgjime nuk janë rezultat i mundësive të tij. Por është fakt i njohur se përgjimet i ka bërë publike nga adresa e tij personale.
Vetvetiu të gjithë përballen në vetvete me pyetjen si rrjedhën deri në adresë të tij, këto përgjime. Nga shteti ku banon dhe jeton është i përzgjedhur, apo nga shteti i origjinës së bisedave. Nga adresa tjera ndërkombëtare, apo nga ndonjë adresë me origjinë shqiptare. Adresa e fundit eleminohet për një mori arsyesh. Kryesorja është strategjia miqësore e promovuar me decenie për nën qiellin e etnisë shqiptare. Edhe për shkak të principeve të shërbimeve amerikane që kanë në punën e tyre. Adresa amerikane nuk mund të jetë assesi. Sepse shteti më miqësor do të krijonte efektin e këtyre përgjimeve dhe do të evitonte pasojat pa këto publikime. Në mes të dy adresave tjera të mundshme nga ndonjë burim nga shtete tjera ndërkombëtare apo nga Maqedonia e Veriut, nuk ka dilema të mëdha se ku mund ta kenë adresën këto përgjime.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nga mënyra e përzgjedhjes dhe seleksionimit dhe koha kur janë publikuar është e pa diskutueshme se adresa e përgjimeve është Maqedonia e Veriut. Gjithashtu edhe origjina politike e dekonspiruesve të këtyre përgjimeve është më së e njohur. Në këto konstatime mund të vijmë në bazë të përzgjedhjes së protagonistëve të përgjuar. Kjo adresë deri sa ka arritur të na bindë se ka mundësi të siguroj këto përgjime, na krijon dyshimin deri në bindje se ka përgjime për gjithë estabilishmentin politik e ushtarak në Maqedoninë e Veriut. Po pse kjo adresë i seleksionoj këta protagonistë që t'i deskreditoj. Sepse janë motivet politike që e kanë shtyrë të veproj kështu dhe pikërisht në këtë kohë. Të gjitha përgjimet kanë rëndësinë e tyre dhe secila temë ka rolin evident nga këto përgjime. Por përmasat me të mëdha në pasoja për të kaluarën dhe në të ardhmen, do t'i ketë ngjarja e Kumanovës. Prandaj jo rastësisht edhe këto përgjime marrin konotacione në autorësi për ta koncentruar vëmendjen në një përmasë dobësie, dhimbjeje dhe të aspiratës së shqiptarëve dhe në aspektet e konfliktit të mundshëm gjithë herë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Rasti i Kumanoves në historinë e shqiptarëve do të ketë vëmendjen për studime multidisiplinare. Aspektet konspirative të shërbimeve që e organizuan atë dhe gatishmëria e shqiptarëve për flijime, pa pyetur për hollësitë e momentit, e bëjnë këtë ngjarje me peshën e saj specifike në studimet tona shqiptare dhe në qendrat e konspiracioneve ndërkombëtar. Por me këtë rast në këtë trajtim, do të ndalem vetëm për temën e efektit të përgjimeve.

Ngjarja e Kumanovës fatkeqësisht nuk mund të zhbëhet. Ajo ka ndodhur. Një pjesë e pasojave janë te pa kthyeshme. Sidomos ato që kanë të bëjnë me jetën e humbur të protagonistëve tragjik; me cenimin e raporteve ndërnacionale, në kohën kur kërkohej dhe ishte interes për shqiptarët riparimi i tyre; zbehja e besimit ndër qytetar; cenimi i pozitës së shqiptarëve në institucionet e shtetit; dhunimi i vullnetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Kosove dhe Shqipëri nga stepja prej sfidës së zërit kushtrimtar nga kjo ngjarje tragjike me përmasa dhimbjeje, e cila në përsiatjet e secilit shqiptar është përjetuar si përpjekje çlirimtare në vend të duhur, por në kohë të gabuar. Pamundësia e shqiptarëve për solidarizim, ka qenë sfidë torturuese në vete. Justifikimi i heshtjes së shqiptarëve gjatë jehonës së kësaj gjëme, është me peshë të rëndë shpirtërore.

Por një pjesë e këtyre pasojave post-mortum, mund të evitohen në dritën e përgjimeve që janë publikuar. Çfarë do të dhëna nga këto përgjime që të zbulohen, rasti dhe dimensioni i të gjitha pasojave, nuk mund të zvogëlohen. Gjithashtu as veprat e sanksionuara nga kodi penal i rregullimit shtetëror, të konsumuar nga protagonistët në një raport të tillë të subjekti juridiko shtetëror, nuk mund t'i amnistojë plotësisht askush. Me çfarë do qasjeje dashamirësie, që të trajtohen në këtë rregullim kushtetues. Por, zbulimi i këtyre përgjimeve, do të duhej të nxis gjithë autoritetet për sundimin e ligjit, që të rishqyrtojnë faktet e reja që kanë ndikuar në organizimin e kësaj ngjarje tragjike dhe në dritën e ndriçimeve që dalin nga ky rrëfim, të zvogëlohet pesha juridike e fajeve të cilësuara të te dënuarve.

Kapitulli tjetër i domosdoshëm paralel me këtë veprim juridik, duhet të hapet rasti për zyrtarët organizatorë e nxitës të kësaj ngjarjeje me pasoja të rënda ligjore e politike. Që nënkuptohet se janë të implikuar ish udhëheqja më e lartë e nomenklaturës shtetërore. Ndërsa cilësimet e veprave te të dënuarve me dënime aq të rënda, të rishqyrtohen me procedura të rregullta me përshpejtim, siç parashihen nga ligjet në fuqi për raste të tilla kur zbulohen fakte kruciale me ndikim në konsumimin e veprave penale. E pastaj të vazhdoj zbutja e tyre në shkallshmërinë e trajtimeve të më tejme, deri në lirimin e tyre të mundshëm, pas një kohe të vlerësuar nga formime juridike në institucionet e gjyqësorit me objektivitetin e duhur.

Skenaristët e kësaj ngjarjeje e kanë ditur se ka shumë shqiptarë që janë të gatshëm për të luftuar për kauzën kombëtare në çdo kohë. Asnjëherë pa debatuar për kohën e duhur e momentin e volitshëm. Në shpirtin liridashës të shqiptarit në çdo moment është koha. Për atdhetarët e devotshëm është preferencë që asnjë moment nuk duhet të vonohet zgjidhja e kauzës shqiptare. Devotshmëritë me këtë përkushtim, nuk pyesin për marrëdhëniet ndërkombëtare e as për pozitën e shqiptarëve në raport me sfidat, gjithashtu as për ndikimin e tyre në këto relacione. Ndërgjegjen kombëtare e proukupon, vetëm zgjidhja e çështjes nacionale. Kjo logjikë e vlerëson si detyrën imediate të shqiptarëve dhe nuk bëjnë kalkulime në këtë temë. Kjo kërkon vetëm përkushtim, pa pyetur për pasojat. Udhëhiqen nga motoja: çlirimi dhe liria nuk kanë çmim flijimesh. Gatishmëria për flijime është tipari dallues i këtyre formimeve. Kjo vjen si rezultat i edukimeve familjare dhe i inspirimeve personale. Gjithashtu edhe gatishmëria gjenetike për kontribute atdhetare është motiv shtesë në këto veprime.

Prandaj për të tillët lufta për atdhe është në çdo kohë e në çdo moment. Madje për ta çdo shtyrje për situata më të favorshme, është humbje e kohës. Dhënia e mundësisë së tillë, akëcilit prej këtyre devocioneve, konsiderohet e vlerësohet si nderi dhe respekti më i madh që mund të ju bëhet këtyre identiteteve. Ndërsa gatishmërinë e tyre e vlerësojnë si aktin më të duhur e më sublim në jetën e tyre dhe privilegj të jashtëzakonshëm që iu dhuron momenti. Jeta e tyre vlerësohet ashtu si duhet ta vlerësoj çdo njeri prej nesh, si dedikim ndaj triumfit të kauzës shqiptare. Duke qenë njohës të mirë të këtyre karakteristikave dhe të këtij realiteti shqiptar, autorët e skenarit të rastit të Kumanovës e kanë ideuar në zyre shtetërore, të nxitur nga motive subjekive për të vazhduar mbajtjen e pushtetit me çdo kusht.

Kuptohet mirëfilli, jo për interesin e shqiptarëve, por për interesa pushtet mbajtëse në Maqedoninë e Veriut. Por ky projekt natyrisht se ju dështoj. Pushteti iu iku nga duart. Me këtë rast i bën një shërbim çështjes shqiptare. E afirmuan çështjen e pa zgjidhur shqiptare në Ballkan dhe veçanërisht në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu u konfirmua gatishmëria e shpirtit të shqiptarëve për flijime, pa pyetur për çmimin e jetës. Këtë gatishmëri e manifestojnë vetëm pjesëtarët e një populli të robëruar dhe të copëtuar me një formim autokton e me karakteristika autentike, siç janë shqiptarët, të cilët e dëshmuan se manifestojnë devotshmërinë, duke aspiruar çlirimin dhe bashkimin nacional, kurrë pa pyetur për çmimin e flijimeve. Autorët e skenarit të Kumanovës, kanë qenë njohës të jashtëzakonshëm të formimit etno-psikoligjik dhe të ndërtimit socio-psikologjik të shqiptarëve. Natyrisht se ata janë edhe shtytësit, ideatorët dhe nxitësit e ngjarjes së Kumanovës. Si të tillë, nga që janë të identifikuar, duhet të përballën me ligjet në fuqi dhe të dënohen në mënyrë meritore. Ndërsa veprat e ngarkuara mbi të dënuarit shqiptarë, duhet të rishikohen në dritën e fakteve të reja dhe të rishqyrtohet lënda tërësisht.

Nuk mund të amnistohen plotësisht, siç deklarohen shumë autorë shqiptarë kur trajtojnë këtë temë, duke konkluduar nën ndikimin e motiveve gjithë fare, pa u brengosur se janë duke manipuluar me ndjenjat e të dënuarve dhe të familjarëve të tyre. Sepse pasojat e veprimit janë evidente. Para ligjeve të shtetit të Maqedonisë së Veriut, kanë peshën e përgjegjësisë në çfarë do rrethana që mund të kenë ndodhur. Ndërsa në mendësinë shqiptare kanë vlerësime epike dhe do të çmohen me dhimbje e respekt të veçantë, pa u penalizuar ndonjëherë edhe për dëmet e pasojat që janë të pa mohueshme.

Nën dritën e fakteve të reja, ato veprime duhet doemos të kenë cilësime të tjera nga shteti juridik i Maqedonisë së Veriut, pa interferime politike. Me rishqyrtimin e këtij rasti dhe rasteve tjera të montuara ndaj shqiptarëve, të zbuluar nga këto përgjime, shteti juridik i së drejtës në Maqedoninë e Veriut, do të promovonte një moment kthese në jetën e nënshtetasve të vet dhe në marrëdhënie ndërkombëtare.

Së bashku me këto procedura, të vazhdohet me projekte të radhës në politikat shtetërore në të gjitha dimensionet, të cilat garantojnë barabarësi të qytetarëve në tërë Maqedoninë e Veriut, duke çmuar faktin se farkimi vullnetit të dy popujve shtet formues, ka ndikim permanent në ekzistencën e këtij rregullimi juridik dhe në ruajtjen e këtyre kufijve ekzistues të Maqedonisë së Veriut.

ME TE LEXUARAT