Iu bashkua burrit në Siri, gruaja kërkon të rikthehet në Kosovë

Kosovë&Rajon

Ka tre vjet që Edina, një grua nga Prishtina, kishte shkuar në Siri për t’iu bashkuar burrit të saj, i cili ishte rreshtuar përkrah grupit militant të Shtetit Islamik.

Por, tani kur burri i saj nuk jeton më, ajo dëshiron të kthehet në Kosovë. Kjo grua, ka folur përmes telefonatave me REL, duke treguar për kushtet e rënda në kampin Al-Nisa në Siri. Ajo nuk është e vetmja nga Kosova dhe rajoni, që ndodhen në kampet e Sirisë.

“Këtu në këtë vendin, në këtë kampin ku jemi ne, që na kanë nxjerrë prej burgut, quhet Al-Nisa, Koban. Edhe këtu tani për tani është një motër shqiptare, këtu me mua, një motër maqedonase me vajzën e vet edhe vajzën e vajzës së vet edhe unë kosovare. Kushtet janë shumë të këqija, shumë, tmerr i gjallë. Na kanë lënë nëpër kampe nga 100 veta të plagosur. Nuk ka ushqime edhe as nuk ka ujë të mjaftueshëm. Na japin ujë të nxehtë për të pirë”, thotë ajo.

Kjo grua, 24-vjeçare nga Prishtina, bashkë me gra të tjera nga Kosova dhe Shqipëria, janë në pritje të kthimit në shtëpitë e tyre. Mirëpo, thotë se deri tani, askush nga institucionet e Kosovës nuk i ka kontaktuar për t’i kthyer në vendlindje.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Kurrfarë kontakti unë nuk kam pasur më herët. Para një jave kam dalë nga burgu. Kam qenë në Koban, nëntokë, në burg kemi qenë. Tani mu dha mundësia për të folur. Ne nuk kemi kurrfarë kontakti me askënd tjetër”, thotë ajo, duke ndërprerë bisedën për shkak të frikës së mund ta dëgjojë dikush.

“Po e mbyll më mirë. Kaq, unë s’mund të flas më shumë. Na e bëni hallall”, ishin fjalët e saj.

Institucionet e sigurisë në Kosovë, nuk kanë ende ndonjë plan për kthimin e dhjetëra kosovarëve që vazhdojnë të jenë në Siri. Sipas përfaqësuesve të institucioneve në Prishtinë, aktualisht angazhimi ka të bëj me personat që tashmë janë kthyer.

“Qeveria e Kosovës ka kryer një proces të kthimit të 110 kosovareve dhe është duke u marrë me rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre. Edhe një numër i shtetasve kosovarë ka mbetur në zonat e konfliktit dhe se Qeveria dhe institucionet e Kosovës do të marrin vendime dhe masa konform rrethanave dhe mundësive”, ka deklaruar Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për REL se të gjithë qytetarët e Kosovës që janë në Siri, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Mirëpo thotë se luftëtarët e huaja të cilët janë në burgje atje, mund të paraqesin rrezik për shoqërinë kosovare.

Në fund të muajit prill, Kosova ka kthyer 110 kosovarë nga Siria, duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 luftëtarë të huaj.

Në gjashtë-shtatë vjetët e fundit, më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik. Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë, disa prej tyre të lindur atje, vazhdojnë të jenë në kampe të ndryshme. Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja mund të dënohet deri në 15 vjet burgim./REL

ME TE LEXUARAT