"Avokati" hap letrat: Penalizimi i Ilir Metës është hapi i parë i anëtarësimit në BE

Aktualitet

Avokati Spartak Ngjela mendon se penalizimi i presidentit Ilir Meta eshte shenje e qarte per hapjen e negociatave te Shqiperise me BE.

Spartak Ngjela

Çfarë po sjell në psikologjinë e krimit fillimi i aplikimit të Reformës në Drejtësi?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Po sjell ndryshimin e madh. Kjo reformë ka tani afër dy hapa fillestare për të ndërmarrë:

1. Procesin penal për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

2. Strukturimin jurudik të SPAK-ut.

l.

Që tani konstatohet frikë nga të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë. Këta po flasin jashtë sistemit logjik dhe nuk dinë si të mbrohen. Më tipiku është Ilir Meta. Ky, pasi foli nonsese dhe gjithë frikë, pasi kërkoi ndihmë kudo, tani duket se po pret fatin e tij: një president i shkarkuar.

Në fakt historia politike e Shqipërisë, me goditjen penalale të Ilir Metës, fiton, sepse Shqipëria garanton hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në fund të tetorit 2019.

Penalizimi i Ilir Metës është shenja e parë dhe e mjaftueshme për kushtin që ka vënë Bashkimi Europian në hapjen e negociatave për anëtarësimin në të: goditjen penale të të korruptuarve të pushtetshëm. Kështu ndodhi edhe më Kroacinë, menjëherë pas arrestimit të kryeministrit të saj, iu hapën negociatat.

Në fakt kjo do të ndodhë, sepse politika europiane e Shqipërisë ka ngrirë, deri sa të fillojë goditja penale e të korruptuarve të mëdhenj. Kurse Ilir Meta është më tipiku i korrupsionit të lartë shtetëror dhe është President i Republikës.

Shkarkimi i tij në akuzë penale, krijon hapin e parë drejt çlirimit të Shqipërisë.

Kjo në fakt i jep shoqërisë shqiptare forcë në besimin se ajo do të shpëtojë më në fund nga një uzurpim tridhjetëvjeçar.

Menjëherë pas shkarkimit të Metës dhe pas ngritjes së SPAK-ut, nis procesi penal kundrejt të gjithë të korruptuarve të mëdhenj të shtetit shqiptar.

Il.

Por çfarë pritet të krijojë në funksion të shtetit shqiptar Reforma në Drejtësi?

Respektimi ligjor i të gjithë reformës në drejtësi, e cila tani është e plazmuar juridikisht në Kushtetutën e Shqipërisë, do të krjojë për herë të parë në historinë e Shqipërisë një Sistem Penal të Drejtësie (Criminal Justice System).

Në fakt shteti shqiptar asnjëherë nuk e ka pasur drejtësinë penale të organizuar në një sistem.

Tani, sapo të fillojë aplikimin Reformës në Drejtësi, nis strukturimi real për krijimin real të Sistemit Penal të Drejtësisë.

Por, çfarë është ky Sistem?

Ky Sistem është një seri agjencish të pushtetit gjyqësor, të qeverisë dhe një sërë institutesh ligjorë, të cilët kanë për qëllim të identifikojnë individët e inkriminuar dhe të zbatojë kundrejt tyre një ndëshkim penal.

Institutet parësorë të sistemit të ri të drejtësisë penale në Shqipëri do të jenë: gjykata e zakonshme, Gjykata e Posaçme, prokuroria e zakonshme, Prokuroria e Posaçme, policia kriminale, Byroja Kombëtare e Hetimit, avokatia, dhe burgjet.

Ky është sistemi i ri, i gjithë i reformuar dhe i shkëputur plotësisht nga politika.

Dhe, sapo të fillojë, sistemi i organizuar do të merret me spastrimin e krimit në një spektër të gjerë dhe të plotë.

Brenda këtij Sistemi është vendosur edhe SPAK-u

Kurse SPAK-u, sipas kushtetutës, i vendos të dy aspektet e krimit të organizuar në një plan goditës: krimin e lartë shtetëror si korrupsion, dhe krimin e organizuar si pjesë e simbiozës me krimin shtetëror.

Shqipëria tani është një

Shtet i paralizuar dhe një shoqëri joproduktive pikërisht si pasojë e abuzimit me pushtetin.

Korrupsioni shqiptar sot nuk mund të quhet një gjë e rastit, sepse ai është një fenomen gjithështetëror. Ky lloj krimi shtetëror i ka pushtuar të dy ingredientët thelbësorë të një shteti: administratën e lartë shtetërore, dhe pushtetin gjyqësor. Domethënë që shteti i së drejtës nuk egziston sot në Shqipëri. Pikërisht këtë lloj shteti të së drejtës kërkon të sjellë me objektin e saj Reforma në Drejtësi.

lll.

Nga do të fillojë goditja penale?

Në rastet e rëndësisë që vijnë nga nivelet e larta të politikës së të dy krahëve, po ta shohësh me vëmendje profesionale korpusin e plotë ligjor të Reformës në Drejtësi, konstaton se goditja duhet të fillojë nga pjesëtarët e familjes dhe fisi i presidentëve, kryeministrave dhe ministrave. Kjo sepse këta naivë nuk e kanë menduar ndonjëherë ardhjen e drejtësisë penale në Shqipëri. Por, për faktin që kjo lloj drejtësie tani po vjen si sistem krejtësisht i pavarur, i ka shqetësuar të gjithë, sidomos pasi e kanë parë si test në rastin e pushtetin gjyqësor.

Ajo që panë këta në testin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, iu dha të kuptuar se deklarimet e tyre të pasurive, që kanë qenë të detyruar t'i jepnin sipas ligjit, i kanë bërë duke paguar komisionin e deklarimit të pasurive. Pikërisht kjo, njëlloj edhe si gjyqtarët e prokurorët, tani do t'i dërgojë përpara akuzës penale.

Deklarime të reme të pasurisë: këtu do të fillojë vetë procesi penal antikorrupsion edhe për pushtetarët e lartë..

Në fakt, këta të korruptuar të lartë e kuptuan qëkurse i detyruan me forcë të votonin Kushtetutën. Prandaj këta i ndërmorën të gjitha hapat kundërshtuese antireformë, deri në kërkesa të hapura për kryengritje mbarëshoqërore; por dështuan. Sigurisht, na duhet të vëmë në dukje se ky dështim erdhi drejtpërdrejt nga ushtrimi i forcës së politikës amerikane.

Këtë tani e dinë të gjithë shqiptarët, prandaj po presin të shohin atë që do të ndodhë.

Asgjë tjetër më shumë, do të ndodhë ajo që përshkruam më lart në këtë shkrim.

ME TE LEXUARAT