Aktualitet

Sulmi ndaj turisteve, Mihal Kokëdhima habit në Gjykatë me deklaratën e tij

Mihal Kokëdhima, pronari i restorantit në Porto Palermo i cili akuzohet se u përfshi në sherrin, ku dyshohet se sulmonte disa turistë spanjollë doli sot para gjykatës së Vlorës, për masën e sigurisë.

Gjyqtare e çështjes është caktuar Esmeralda Habilaj, prokuror Saimir Smaka dhe avokatë Kujtim Cakrani dhe Erion Besimaj.

Mbi të pandehurin rëndojnë dy akuza, kanosje dhe dëmtime të tjera të pronës private me dashje.

Avokati mbrojtës i tij pretendoi se Kokëdhima nuk ka kryer vepër penale.

Sipas tij nga Kokëdhima janë kryer vetëm kundravajte penale dhe jo vepra penale. Për këtë arsye ai tha se duhet që klienti i tij të dënohet me gjobë dhe jo burgim.

“Klienti im nuk ka rrezikshmëri shoqërore, dhe nuk mund të mbahet në burg për një shkatërrim prone, sepse dëmtoi një makinë. Ai është i gatshëm të paguajë gjobën sado që të jetë për shkatërrimin e pronës, por jo që të burgoset”

“Pasi dhe në momentin e sulmit, Kokëdhima nuk ka pasur asnjë armë të ftohtë, madje ka edhe provat që tregojnë se në momentin e sulmit ka pasur në dorë vetëm celularin, asgjë tjetër.”

Edhe Kokëdhima ka deklaruar para gjykatëses se nuk ka sulmuar askënd.

“Nuk kam bërë asnjë gjë t’i sulmoja ata. U mundova t’i ndaloja. Ata nisen makinën dhe desh më shtypën. Iu luta gjithë rrugës të ndalonin dhe nuk ndaluan. Kur ndaluan zbrita nga makina dhe shkova vetë dhe lajmërova policinë”, u shpreh Mihail Kokëdhima.

Gjatë dhënies së versionit të tij për ngjarjen, Kokëdhima ka thënë nën lotë: “Më morën zvarrë me makinë, nuk kam prekur njeri me dorë. Ku janë faktet që i preka me dorë. Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur”.

Më pas ai ka shtuar: “Unë mora targën e mjetit, telefonova policinë, por ata futën marshin që të më shtypnin dhe unë u hodha në kroskot. Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani, ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”.

Në sallën e gjyqit, Kokëdhima nuk ka kursyer ironinë ndaj mediave, duke deklaruar se kaq vëmendje mediatike nuk ka pasur as në SHBA me arrestimin e Osama bin Laden.

Njëri prej avokatëve të tij ka deklaruar pas tij se çështja e klientit ka marrë tashmë edhe vëmendjen e kryeministrit.

Familja spanjolle u sulmua në lokalin e tij, pasi kishte refuzuar shërbimin e keq.

Sakaq, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi tri ditë më parë në bregdetin shqiptar, lokali i Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo të Himarës po i nënshtrohet verifikimit të dokumentacionit nëse është korrekt me ligjin ose jo.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Nje koment

  1. Po perse po behet kaq zhurme per nje gje qe eshte puse drejtesie policia te bej punen dhe aqe. Kjo mund te ndodhi kudo injoranta dhe te keqinje ka kudo se dhe te huajte sjan me te mire intriganta jane mos u beni servile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close