Cilat janë kushtet për zgjidhjen e krizës? Nisin diskutimet e para

Politikë

Në kulmin e debateve mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të tij për mundësinë e humbjes së zgjedhjeve, si dhe në mesin e dekodimit të mesazheve të Saimir Tahirit për kupolën e PS, që tregojnë edhe njëherë se sa e rëndë është situata brenda selisë rozë, koha po afron që Bashkimi Europian të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Berlini pritet të marrë një rol protagonist në këtë situatë. Këto ditë pritet të jenë të rëndësishme. Pikërisht Dojçe Vele ka dhënë disa sinjale se çfarë mund të ndodhë. Një variant i mundshëm është që Gjermania të kërkojë çeljen e negociatave me kusht me Shqipërinë. Kushti? Natyrisht që lidhet me zgjedhjet, ato të 30 qershorit dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Korrespondentja e Dojçe Veles, Anila Shuke, tha se mund të ketë dy kushte të reja. “E para, qartësimi i statusit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Dhe e dyta, qartësimi i çështjes së manipulimit të votave në zgjedhjet e shkuara”.

A nënkupton kjo që vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, me shumë mundësi nga pranvera e vitit që vjen, pasi të jetë vënë për vije Reforma Zgjedhore? Ky është një variant që ka qarkulluar jo rrallë nëpër qarqet mediatike, politike e diplomatike. Një zgjidhje si ajo e Maqedonisë së Veriut, e ofruar sërish nga BE, mund të bëjë që një qeveri kujdestare të çojë vendin drejt dy palëve zgjedhje në një ditë. Se sa qëndron ky variant, do duhet të presim vetëm pak ditë për të mësuar më shumë.

Por zërat për ‘kushtet’ kanë nisur të ziejnë edhe brenda vendit. E para që ka folur për këtë gjë, ka qenë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, që pranon në një intervistë se duhet të përballen me Edi Ramën. Ajo la të hapur për spekulim mundësinë që Edi Rama të ketë kërkuar që mos preken koncesionet si kusht.

“Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë ato që i japin zgjidhje dhe që vendosin me shpatulla pas muri të gjithë klasën politike që duan apo nuk duan të ulen në tavolinë. Se nëse një palë thotë unë nuk ulem me Edi Ramën kryeministër dhe pala tjetër thotë unë ulem në tavolinë, por të jetë e panegociueshëm çështja e koncesioneve, janë 2 gjëra që në një farë mënyre, një kryeministër, i cili kërkon që me çdo çmim të mbrojë koncesionet e tij, normal që kushdo të jetë, çdo shqiptar thotë unë nuk ulem me këtë kryeministër. Pra duhet të vendosemi përballë një pozicionimi ose përballë një fakti të vendosur të opozitës sepse një kryeministër i cili ka qëllim në vetvete mbrojtjen e koncesioneve që janë në duart e 5 vetave dhe nuk ka problem as çështjen e demokracisë, nuk ka problem as çështjen e fjalës së lirë as çështjen e pluralizmit politik as çështjen e funksionimit të një parlamenti në mënyrë demokratike, as ngritjen e gjykatave as një reformë në drejtësi,” tha Kryemadhi për News24.

Në një reagim në rrjetet sociale, ish-ministri i LSI, Ylli Manjani, thotë se ky kusht nuk i duhet pranuar Ramës.

“Nëse vërtet kushti i tij për të ikur nga pushteti është të mos i preken koncensionet, le të rrijë më mirë. Le të rrijë që të groposet bashkë me to, njëherë e mirë dhe përfundimisht. Ato koncensione, ashtu sic janë negociuar e vendosur, janë hajni e pastër e pasurisë dhe parave publike, të sotme dhe të 30 e kusur viteve që vijnë,” shkruan ai.

ME TE LEXUARAT