Burri i Besa Shahinit dhunon në TV zyrtarin e Vetëvendosjes

Aktualitet

 Bashkëshorti i ministres së Arsimit Besa Shahini, Dardan Molliqaj, ka dhunuar fizikisht dje në mbrëmje zyrtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi. Të dy kandidatët për deputetë ishin të ftuar në emisionin “Pressing”. Gjatë emisionit situata mes tyre u tensionua disa herë, dhe mesa duket ka arritur kulmin prapa kamerave.

“Kam qenë duke dal nga korridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe donin të më godisnin. Ka hyrë Rexhep Hoti dhe më pas ndodhi një situatë e pakëndshme (kapje prej fyti). Më pas më goditi në këmbë. Ishte një situatë jo e mirë”, -ka thënë Abazi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Incidentin e ka konfirmuar edhe drejtuesi i emisionit “Pressing”, Leonard Kërquki. Për shkak të këtij incidenti, ai tha se nuk do të mund ta vazhdojë emisionin.

“E kishim planifikuar ta vazhdonim pjesën e dytë të emisionit me dy analistët, Jusuf Thaçi dhe Rron Gjinovçit, në fakt gjatë ndërprerjes të shkurtër prej 2-3 minutave ka ndodhur një incident fizik. Z. Haki Abazi thotë se është sulmuar prej Dardan Molliqajt dhe prej shoqëruesit të tij, meqenëse nuk mundëm të flasim me Dardanin na mbetët që të themi këtë dhe të insistojmë që t’i shikojmë inçizimet, video e kamerave të sigurisë për të parë se çfarë ka ndodhur. Më vjen keq për këtë që ka ndodhur, nuk ka qenë asnjëherë qëllimi i këtij emisioni që të vijnë deri në këto situata të tilla”, ka thënë Kërquki.

Ndërsa kandidati për deputet nga koalicioni PSD-AAK, Dardan Molliqaj, e ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë përleshje fizike jashtë studios.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka deklaruar Molliqaj.

Ndërkohë gazeta Express ka bërë publike detaje rreth arsyes se si ka nisur sherri mes dy kandidatëve për deputetë.

“Veç një batutë po e lshoj, qysh ja ka nis Hakia me më përmen shpesh, tutna edhe andërr don me m’pa sonte”, tha Molliqaj.

Kurse Haki Abazi ia ktheu, duke i thënë se “ty as gruaja jote nuk të sheh në ëndërr”.

“E mira që ti s’je i vetmi Dardan, ty nuk të shoh në andërr kurrë, ty as gruaja jote nuk të sheh në andërr”, i tha Abazi.

Abazi iu drejtua Molliqajt duke i thënë që të mos e thërrasë Hakia, pasi është gjini femërore, por ta thërrasë Hakiu.

Kurse Dardan Molliqaj ia ktheu duke i thënë se “edhe dukesh pak si femër”.

Pas kësaj tensionet u rritën edhe më tej, ku dy të ftuarit Abazi dhe Molliqaj, vazhduan duke fyer njëri-tjetrin.

Ndërsa pas përfundimit të pjesës së parë të emisioni ‘Pressing’, Abazi dhe Molliqaj janë përballur fizikisht.

ME TE LEXUARAT