Pse palët janë ende larg dialogut? Flasin Bardhi dhe Balla

Politikë

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca përsëriti sot apelin për dialog mes forcave politike. Ai tha se ndoshta dialogu duhet të nisë nga diçka specifike, si mund të jetë reforma zgedhore. Pas deklaratës së tij, “Zëri i Amerikës”, mori reagimet e dy njerëzve të rëndësishëm të mazhorancës dhe opozitës, Taulant Ballës dhe Gazment Bardhit.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se thirrja për dialog nga partnerët është e kuptueshme, e përsëritur dhe shprehje e shqetësimit të tyre mbi situatën në vend.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Për Partinë Demokratike ka qenë dhe mbetet i papranueshëm një dialog i pasinqertë, që zgjidh situatën momentale, por që nuk ka në fokus interesin afatgjatë të qytetarëve dhe vendosmërinë e tyre për zbatimin në Shqipëri të standardeve euro-atlantike të nevojshme. Deri tani kundërshtarët tanë politikë dhe kryeministri Edi Rama kanë shprehur mungesë përgjegjshmërie për të kuptuar situatën që kanë krijuar në vend dhe shkaqet reale të krizës politike, që janë keqqeverisja dhe bashkëpunimi i politikës me krimin në zgjedhje, që kanë cënuar shtyllën themelore të demokracisë: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dialogu i sinqertë mund të nisë vetëm atëherë kur shkaqet e krizës të evidentohen qartë dhe qeveria të pranojë përgjegjësinë për situatën që ka krijuar në vend. Problemet në Shqipëri dhe kriza e thellë institucionale, politike dhe kushtetuese, nuk zgjidhen me reformën zgjedhore, edhe pse kjo e fundit është e nevojshme dhe duhet të realizohet” – tha zoti Bardhi.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha për “Zërin e Amerikës” se shumica dëshiron të komunikojë me opozitën jashtë parlamentare, dhe dora për dialog mbetet përherë e shtrirë.

“Shembulli më i mirë i gadishmërisë tonë për dialog me opozitën është fakti se në Komisionin e Reformës i është lënë një karrige bosh edhe Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj, për të bërë propozime. Shqipëria vitin e ardhshëm merr presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ndaj reforma zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë detyrime” – u shpreh zoti Balla. Ai theksoi se pa depolitizuar komisionet e zgjedhjeve, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore në Shqipëri. Pa hequr partitë politike nga numërimi i votave, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore”. Zoti Balla tha se, krahas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, e vetmja kërkesë e Partisë Socialiste për reformën zgjedhore është mundësimi i votimit për emigrantët shqiptarë.

Megjithë ftesat dhe deklaratat e vazhdueshme, shenjat për dialog mes forcave politike shqiptare ende nuk shihen, dhe opozita ka paralajmëruar rifillimin e protestave në kërkim të zgjedhjeve të parakohshme me një qeverie tranzitore./VOA

ME TE LEXUARAT