Qytetarin e zë halli me kredinë, i kërkojnë 5.5 milionë Lekë të pajustifikuara

Aktualitet

Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar rastin e qytetarit Seid Mema për një padrejtësi absurde që i është bërë nga Agjencia e Trajtimit të Kredive. Në vitin 1995 ai kishte marrë një kredi nga shteti për biznesin e tij të furrës së bukës, por nga trazirat e 1997-ës nuk mundi ta shlyejë atë. Në vitin 2019, u falën kamatëvonesat dhe z.Mema e shlyejti pjesën e mbetur të kredisë.

Said Mema: Në vitin 1995 mora një kredi tek ish-Banka Bujqësore Agrare për biznes. Kam pasur furrë buke për gjithë zonën ish-koperativë bujqësore Shkallë. Ka pasur rreth 5 mijë banorë që i mbaja me bukë dhe mora këtë kredinë për t’i shërbyer punës. Nga këto mora 15 milionë Lekë të vjetra. Deri në vitin 1997 unë pagova 5 milionë, edhe të tjerat mbetën pa paguar. Si rezultat i luftës së ’97 , kredia u pezullua për arsye se neve na vodhën. Edhe kjo kredi mbeti pa likujduar, se me çfarë do ta likujdoja.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por tani z.Mema përballet me faktin se Agjencia e Trajtimit të Kredive (ATK) i ka faturuar 5.5 milionë Lekë të vjetra si shpenzime gjyqësore, pa u bërë asnjëherë asnjë gjyq.

Said Mema: Unë nuk jam dakord me shpenzimet gjyqësore që më kanë vënë, domethënë 5 milionë e 500 mijë Lekë të vjetra që më ka vënë ATK dhe 1 milionë e 200 mijë Lekë që më ka vënë përmbaruesi. Kam vajtur disa herë tek përmbaruesi dhe më thotë që 5 milionë e 500 mijë Lekë i ka bërë ATK. Kurse unë, thotë, kam 1 milionë e 200 mijë Lekë që janë 10% i vlerës që ka kredia.

Z.Mema dhe gazetari i emisionit “Stop” shkuan në zyrën e ATK-së dhe aty i thanë se për shumë prej 5.5 milionë Lekë të vjetra duhet të ankohet tek përmbaruesi.

Juristja ATK- O Seid! Të janë bërë vlerësime dhe plane rilevimi për hipotekë, sepse ta kam thënë, nuk i ke pasur pronat në rregull në hipotekë dhe ka bërë plane rilevimi ai.

Seid Mema -Kush ai? Kush ka bërë? Përmbaruesi?

Juristja ATK- Ëëë..,ky përmbaruesi. Ka bërë deklaratë noteriale, ku thotë, që pranon të shlyejë gjithë detyrimin. Është me deklaratë noteriale. Ti i njef aktet ligjore? Tani, se ndryshon mendjen Seidi, s’ia kam unë fajin.

Gazetari- 5 milionë e gjysëm janë të paarsyetuara?

Juristja ATK- Mos ta firmoste more…!

Gazetari- Po si? Këto 5 milionë çfarë janë?

Juristja ATK- E kam çuar para noterit, që e njof këtë detyrim.

Gazetari- Ne si emision investigativ, edhe Seidi, kemi dyshime, që këto 5 milionë e gjysëm janë ndarë këtu midis jush. Tani ma hidh poshtë?!

Juristja ATK- Tani, kur janë bërë ato, shpenzimet gjyqësore të Seidit, unë s’kam qenë këtu.

Nga zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, emisioni “Stop” dhe z.Mema shkuan së bashku tek përmbaruesi privat. Ky i fundit tha se detyrimet ndaj tij janë 1.2 milionë Lekë të vjetra dhe jo 5.5 milionë Lekë, shumë për të cilën nuk ishte në dijeni.

Për këtë tarifë që është përcaktuar si shpenzim gjyqësor, përmbaruesi shpjegoi se duhet të justifikohet nga Agjencia e Trajtimit të Kredive dhe të sqarojë qytetarin në fjalë.

Përmbaruesi Privat – 5 milionë për shpenzime?!

Seid Mema- 5 milionë e 500 mijë e 5 lekë.

Përmbaruesi Privat – I ke paguar këtu, apo tek ATK-ja?

Seid Mema – Atje te ATK-ja.

Përmbaruesi Privat – Po atje duhet të japin informacion, atje!

Gazetari- Nuk i japin, prandaj po të thotë. I thonë, i ka përmbaruesi.

Përmbaruesi Privat – Shiko tani! Ky ka principal 1 milionë e 200 mijë lekë të reja. I ke paguar këto?

Seid Mema – Po!

Përmbaruesi Privat – Ke paguar edhe 500 mijë lekë të reja?

Seid Mema – 500 e 50 mijë të reja, ore!

Përmbaruesi Privat – Shpenzime gjyqi, të kanë ardhur 69 mijë e 663 lekë. Ata duhet t’i japin sqarime!

Gazetari- Po mirë, po ata i thonë e ka mbajtur përmbaruesi, se këtë s’po kuptojmë ne.

Përmbaruesi Privat – Ku e ka mbajtur përmbaruesi?

Gazetari- 5 milionë lekë nuk janë shpenzime nga përmbarimi?

Përmbaruesi Privat – Përmbarimi ka 500 mijë lekë të reja, nuk e di pse të jenë kaq shumë…

Seid Mema – 500 e 50 mijë…

Prej këtej, shkuam sërish në zyrat e ATK-së. Kësaj radhe, punonjësit e Agjencisë së Trajtimit të Kredive pranuan se shuma prej 5.5 milionë Lekë të vjetra nuk janë të përmbaruesit. 5.5 milionë Lekë të vjetra që deri më tani i klasifikonin si shpenzime gjyqësore, pranuan se janë pagesa për planin e rilevimit të biznesit të z.Mema.

Emisioni “Stop” ka siguruar dosjen e ATK për këtë çështje dhe ka mësuar gjithashtu se një plan rilevimi kushton 70-100 mijë Lekë të vjetra. Për z.Mema janë bërë 9 plane rilevimi. Nëse do ta marrim të mirëqenë që një plan rilevimi kushton 100 mijë Lekë të vjetra, atëherë për 9 plane të tilla detyrimi që qytetari duhet të paguajë është 900 mijë Lekë të vjetra. Natyrshëm lind pyetja ku kanë shkuar 5.5 milionë Lekë të vjetra dhe përse është përcaktuar kjo tarifë? Juristja e Agjencisë së Trajtimit të Kredive thotë se kjo shumë është kontabilizuar dhe nuk mund të kthehet pas. Prandaj ajo sugjeron që z. Seid Mema të shkojë në gjykatë për të marrë pas detyrimin që i takon.

Juristja ATK– Në rast se Seidi kishte probleme me shpenzimet, do i drejtoheshe gjykatës dhe të gjitha këto…

Gazetari- Jo, po s’mund t’i drejtohet gjykatës për gabime dhe gjëra abuzive qëë …

Juristja ATK- Në momentin që është kontabilizuar dhe ato lekë kanë dalë nga institucioni, janë të kontabilizuara, mbyllen ca bilance këtu.

Gazetari- Absolutisht! Unë e kuptoj…

Juristja ATK- S’mund të fshihen me gomë …! Si mund ta fshij unë?! Ku të vete unë pastaj? Të vete në burg për Seidin unë, pastaj?

Gazetari- Po nuk e kemi aty, e kemi …

Juristja ATK- Po jo tani, se nuk flitet kështu!

Gazetari- Po ashtu flitet!

Juristja ATK- Nuk flitet kështu! Në momentin, që ajo është e kontabilizuar…

Gazetari- S’ka lidhje fare, tani mund të ishte edhe 1 miliardë e kontabilizuar, po tani t’i ngarkosh..

Juristja ATK- Nuk e fshin dot atë! Nuk e fshin dot pa një vendim gjykate!

ME TE LEXUARAT