Haradinaj kritika kryediplomatit te BE: Nuk njeh situaten ne Kosove

Kosovë&Rajon

Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur keqardhje për cektësinë e njohurive të Shefit të ri të diplomacisë së BE-së, Joseph Borel, i cili pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së.

Ai ka reaguar ndaj qëndrimeve të Borell se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Postimi i plotë i Haradinajt:

U deshën dy vite sensibilizim ndërkombëtar dhe rezistencë aktive për mospranim të devijimit të dialogut të Mogherinit - nga ai i normalizimit të marrëdhënieve, në atë të korrigjimit e shkëmbimit të kufijve e territorit. Kur kërkova rol aktiv amerikan në dialog në fund të vitit 2017, atëkohë sapo kisha marrë detyrën e Kryeministrit, zonja Mogherini dhe ekipi i saj u alarmuan dhe anuluan konferencën e përbashkët të paraparë për shtyp. Ngjashëm ndodhi në fund të vitit 2018, kur ne asokohe veç kishim ndërmarrë masat parandaluese të nevojshme për të ndaluar avansimin e ndarjes së Kosovës.

Sot, kur dëgjojmë z.Borrell, i nominuar për të zëvendësuar znj.Mogherini, duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme, se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India, ndjej keqardhje për cektësinë e njohurive të tij për rajonin tonë, ndërsa pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së.

Ia kujtojmë z.Borrell parimin themelor - se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit. Njohja është akt politik, dhe nuk e percakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit.

Kosova është me fat që e ka bekimin e shumicës kritike të shteteve demokratike perëndimore, që vazhdojnë të na përkrahin në secilën fushë. Deklaratat e tilla, sidomos para konfirmimit të pozitave me ndikim në institucionet evropiane, provojnë qartë nivelin e ultë të kredibilitetit dhe njohjes sipërfaqësore të rrethanave në Ballkan nga z.Borrell.

Kosova pret seriozitet dhe respekt të ndërsjellë nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian, sidomos tani që udhëhiqet nga Gjermania. Besojmë fuqishëm se degradimet, shkarjet, dhe ofendimet e tilla, nuk do të lejohen më nga institucionet e BE-së.

Kosova që nga viti 2017, nuk pranon trajtime nën nivelin e shtetësisë dhe sovranitetit të plotë të saj.

RH

ME TE LEXUARAT