Zgjedhjet mbaruan, ja hapat per konstituimin e parlamentit dhe qeverise se re

Kosovë&Rajon

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, pritet që si rezultat të prodhojnë konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet jo shumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera jo shumicë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit. Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga dy deputetë, përkatësisht nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë.

Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës. Bazuar në Kushtetutën e Kosovës si dhe në një aktvendim të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, Qeverinë e Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i ka fituar zgjedhjet. Subjekti fitues i zgjedhjeve, mund të formojë koalicion pas zgjedhor në mënyrë që të arrijë numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.

Sa i përket anës politike, fuqia vendimmarrëse e koalicionit apo Qeverisë, vlerësohet se varet nga numri i deputetëve apo përkrahja që ka në Kuvend. Një qeveri që do të krijohej me mbështetjen e dy të tretave të përbërjes së Kuvendit, zakonisht besohet se mund të jetë më e aftë të marrë vendime, krahasuar me një qeveri që do të siguronte vetëm numrin minimal të votave, që nënkupton 61 votat e mbijetesës në Kuvend.

Sidoqoftë, neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.

Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre. Anëtarët e qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit./REL

ME TE LEXUARAT