Tusk: Refuzimi i Tiranes dhe Shkupit nga BE-ja "gabim i madh"

Politikë

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, pranoi se "disa vende anëtare" të bllokut nuk kanë qenë të gatshme të lejojnë fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

"Unë personalisht mendoj se ky ka qenë një gabim i madh", tha Tusk në një konferencë për media, pasi Këshilli Evropian, natën e kaluar, nuk ka arritur pajtim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Tusk theksoi se këto dy vende nuk duhet fajësuar për vendimin e tillë, pasi të dyja ato janë të gatshme për nisjen e negociatave tani.

Ai kërkoi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që të mos heqin dorë nga ambiciet e tyre dhe premtoi se ato do të bëhen një ditë anëtare të plota të Bashkimit Evropian.

"Vërtet turpërohem për këtë (vendim)", tha Tusk.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se është "thellësisht i zhgënjyer" nga mungesa e unitetit për zgjerimin dhe shtoi se rezultati i debatit të së enjtes është një "gabim historik".

Refuzimi për të pranuar përparimin e dëshmuar do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE, tha komisionari i Zgjerimit, Johannes Hahn.

Ai theksoi se BE-ja duhet të sqarojë se sa serioz është angazhimi i saj për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Burimet diplomatike kanë konfirmuar se ka qenë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ai i cili ka kundërshtuar çfarëdo vendimi pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

ME TE LEXUARAT