Liberalizimi i vizave per Kosoven varet nga lufta kunder korrupsionit

Aktualitet

Çështja e liberalizimit të vizave kryekëput varet nga kriteri i papërmbushur që ka të bëjë me luftimit e krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Kështu thonë njohësit e integrimeve evropiane dhe ish zyrtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ata thonë se Kosova nuk ka dëshmuar përparim në këtë aspekt. Sipas tyre, për këtë arsye po ndodh mospërfshirja e Kosovës në agjendat e takimeve të Këshillit të Ministrave të BE-së.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas demarkacionit me Malin e Zi, zyrtarë evropianë në vazhdimësi kanë kërkuar rezultate të prekshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si kusht për liberalizim të vizave.

Madje, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostollova, e ka potencuar disa herë në deklarata publike:

"Kjo rrugë duhet të ndiqet dhe është proces i vazhdueshëm, kjo nuk do të thotë që të ndiqen disa raste dhe pastaj të harrohet. Është një çështje më e gjerë, ka të bëjë me takimet politike, ka të bëjë me nepotizëm, me financimin e partive politike duke përfshirë edhe rastet e mëdha që duhet të shohim përfundimin e tyre dhe verdikte.', tha ajo.

Edhe drejtori Ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha, i tha Radio Kosovës se deklaratat e zyrtarëve kosovarë se përgjegjësia është te vendet e BE-së, nuk i kontribuojnë në asnjë formë çështjes së liberalizimit të vizave:

"Prandaj nuk ka bazë të thuhet një gjë e tillë nga ana e institucioneve dhe nuk na bënë nder, sepse në fund fare dhe lufta ndaj krimit e korrupsionit është në interesin tonë. Qeveria e ardhshme duhet të bëjë një gjë, të mos përmendë data dhe të fokusohet në një gjë, ç’kapja e sistemit të drejtësisë nga ndikimi politik, një ç’kapje që më pastaj duhet të sigurojë rezultat në luftë kundër korrupsionit të lartë me të cilin ballafaqohet Kosova, në mënyrë që liberalizmi i vizave të kthehet në agjendë të Bashkimit Evropian", tha ai.

Edhe njohësi i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, flet për dy argumente që e kanë mbajtur pezull çështjen e liberalizimit të vizave:

"Situata është komplikuar pas mbajtjes së zgjedhjeve për konsolidimin e institucioneve të Bashkimit Evropian, këtu një numër i shteteve ka pasur hezitimet e veta. Argumenti i dytë lidhet me mungesën e një vizioni të qartë dhe paaftësinë e institucioneve tona për të dërguar raporte që dëshmojnë se ne nuk kemi plotësuar kriteret vetëm në kuptimin formal por edhe në terren. Situata ka ndryshuar duke prezantuar para BE-së raste të luftës të pakompromis dhe shumë serioze që institucionet tona bëjnë kundrejt krimit dhe korrupsionit", tha ai.

Edhe Fejzullah Hasani, ish kryetar i Gjykatës Supreme, thotë se nuk ka pasur rezultate të prekshme në këtë fushë:

'Një nga pengesat për liberalizim të vizave kanë qenë pikërisht edhe rezultatet e dobëta që kanë qenë në drejtim të luftimit të krimit e korrupsionit, pavarësisht se ne promovohemi se e kemi luftuar,se kemi bërë këtë e atë... mirëpo përfundimi i çështjeve kur kemi të bëjmë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ose ato çështje në aspektin numerik, kur i krahason me praninë e kësaj dukurie, janë fare të papërfillshme dhe të parëndësishme' tha ai.

Çështja e liberalizimit të vizave nuk pritet të jetë në agjendë as në takimin e fundit për këtë vit të Këshillit të Ministrave të BE-së, që mbahet me 2 dhe 3 dhjetor.

ME TE LEXUARAT