Shtepia e Bardhe bojkoton seancat per shkarkimin e Donald Trump

Bota

Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të marrë pjesë në seancat e ardhshme dëgjimore për procesin e shkarkimit të presidentit, që mbahen nga Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqëseuesve.

Në një letër drejtuar kryetarit të Komitetit, Jorrold Nadler, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Pat Cipollone ka thënë se hetimet për procesin e shkarkimit të presidentit, të udhëhequra nga demokratët janë “të pabaza”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Një seancë për procesin e shkarkimit të presidentit Donald Trump është caktuar të mbahet javën e ardhshme, për të shqyrtuar se çfarë akuzash do të mund të ngriten ndaj presidentit.

Në letrën e Shtëpisë së Bardhë nuk është dhënë ndonjë arsye specifike për mospjesëmarrjen në këtë seancë.

Por, Cipollone në këtë letër ka akuzuar ligjvënësit demokratë se po humbin kohën e amerikanëve me këtë procedurë duke e cilësuar si “abuzim me pushtetin”.

“Çfarëdo rruge që zgjidhni, siç ka thënë presidenti së fundmi: ‘Nëse doni të nisni procedurat e shkarkimit, bëjeni tani, shpejt, në mënyrë që të ketë një gjyq fer në Senat’”, ka shkruar Ciopollone në letrën e tij.

Dhoma e Përfaqësuesve, që udhëhiqet nga demokratët, ka hetuar për dy muaj nëse presidenti Trump ka kryer krime, që do të mundësonin shkarkimin e tij.

Në qendër të hetimeve është biseda telefonike e 25 korrikut ndërmjet Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ku gjatë bisedës, Kievi është nxitur që të nisë hetime ndaj rivalëve politikë të Trumpit.

Shtëpia e Bardhë kishte ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 391 milionë dollarësh para kësaj telefonate, por kjo ndihmë iu dha Kievit në muajin shtator./rel

ME TE LEXUARAT