Haradinaj: Te zhvendosurit nga termeti duhet ti kthejme me dinjitet ne Shqiperi

Kosovë&Rajon

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj zotohet se do të bëhet kthim i dinjitetshëm i gjithë banorëve të Shqipërisë, të cilët janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas tij, nuk do të ketë më persona që do të vijnë për strehim në Kosovë, e vetëm gjatë ditës së sotme ai tha se janë kthyer 80 banorë të Shqipërisë.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me personat të cilat kanë qenë me precedente penale, e të njëjtit ishin strehuar në Parkun e Inovacionit në Prizren, Haradinaj nuk ka mohuar të ketë pasur raste të tilla. Megjithatë, ai para mediave tha se Policia e Kosovës ka përgatitur një proces të identifikimit të të gjithë atyre që janë zhvendosur nga Shqipëria në Kosovë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas tij, janë mbi 1300 persona të zhvendosur nga Shqipëria, e nga rreth 600 persona të strehuar në Parkun e Inovacionit në Prizren, tani kanë mbetur vetëm 270.

Haradinaj tha se Kosova duhet të ofrojë kthim të dinjitetshëm të banorëve të Shqipërisë, duke iu ofruar transport të gjithë atyre. Sipas tij, ka qytetarë të cilët duan të kthehen, por hasin vështirësi të sigurimit të transportit.

Shqipëria është goditur më 26 nëntor nga një tërmet i fuqisë 6.4 ballë të Rihterit që shkaktoi vdekjen e mbi 50 personave dhe mbi 900 të plagosur, por edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Banorët e Kosovës janë solidarizuar me vëllezërit e tyre, duke dërguar ndihma dhe duke strehuar banorët e prekur nga tërmeti më i fuqishëm në 30 vjetët e fundit në Shqipëri.

ME TE LEXUARAT