Tensione në Washington, Pompeo anulon udhëtimin në Evropë

Bota
Tensione në Washington, Pompeo anulon udhëtimin në Evropë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka anuluar udhëtimin dy-ditor në Evropë. Njoftimi u bë nga institucioni që ai drejton, Departamenti I Shtetit.

Ky mund të kishte qenë udhëtimi i fundit diplomatik i nivelit të lartë nga ana e administratës së presidentit në largim të SHBA-së, Donald Trump.

Pompeo kishte planifikuar të vizitonte Brukselin dhe Luksemburgun. Sipas njoftimit, anulimi është bërë për të ndihmuar “një proces tranzicioni të qetë dhe të rregullt” në administratën e ardhshme presidenciale.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do të marrë detyrën në 20 janar. Anulimi erdhi mes përpjekjeve për të dëbuar Trumpin nga zyra për shkak të sulmit të dhunshëm ndaj Kongresit të SHBA-së të kryer nga mbështetësit e tij më 6 janar.

Iniciativat e drejtuara nga demokratët ndaj presidentit republikan, përfshijnë një rezolutë që do të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve më 12 janar ku i bëhet thirrje zëvendëspresidentit, Mike Pence, të heqë Trumpin nga detyra për rolin e tij në dhunën vdekjeprurëse, dhe një masë e veçantë që parasheh shkarkimin e tij nga ana e Kongresit, nëse Pence nuk i nënshtrohen kërkesës.

Pompeo pritej të takohej me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Kryediplomati amerikan u vu nën kritika pasi në mesin e polemikave mbi humbjen e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit tha se presidenti do të shërbente edhe për një mandat të dytë.

ME TE LEXUARAT