EMRI/ Krijoi profil të rremë në rrjetet sociale me emrin dhe logon e BKT, u ofronte qytetarëve kredi dhe u boshatiste llogaritë, arrestohet autori

Goditet një rast të mashtrimit kompjuterik në Tiranë, ku për pasojë u arrestua autori kryesor i rastit, si dhe u proceduan dy të tjerë.
Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Orlando Gjoka, 21 vjeç banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.
Shtetasi O. Gj. kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet.
Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh.
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.


